Saturday, August 9, 2025
BallinaVitrina e libritUNË VIJ NË PREKAZ

UNË VIJ NË PREKAZ

Unë vij në Prekaz
mbi kalin
     e pikëllimit
prej plagosjes së natës
që s’fle
     nga ngashërenjat
     prej heshtjes
     të  njeriut
 
Se këtu fjalët 
i ka zënë gjumi i madh
i tokës
të skuqur
      si flamuri
 
         nga gjaku 
 
Unë vij në Prekaz
e çmendur
nga drithërenjat
      dhe përpëlitjet
     e Hënës
     nga vezullimet
     yjore
     prej përshkënditjes
     fosforeshente
     të  eshtrave
 
     të  njeriut 
 
Unë vij në Prekaz
dhe ngrij
     e palëvizur
     si mermeri i varreve
     nën harkun
     e violinave
     të  vajit
           të fijeve të barit
     që qajnë 
     nga mungesa
     e hapave
     të  fëmijëve 

Poezi nga Elida Buçpapaj

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT