Tuesday, August 5, 2025
BallinaVitrina e libritSheremet ProkshiCikël i vargjeve për fëmijë:

Sheremet Prokshi
Cikël i vargjeve për fëmijë:


KUR FILLON KËNGË E BILBILIT

Kur fillon këngë e bilbilit
Bëhem shpend në maje kreshte,
Bëhem degë e bisk me gjethe
Bulëzoj si lule pjeshke.

Bëhem lodër fëmijërie
I buzëqeshur nisi lojen,
Si bletë bëhem, fluturake
Me nektar e mbushi zgjojen.

Bëhem ketër kureshtar
Fole zogjësh plot me vezë,
Fushë bleruar nga fije bari
Peshk për lumë, jo për truezë.

NË VARGJE POETI

Në vargje poeti
Gjelbëron livadhi,
Kurorës së lules
I rritet petali.

Pylli ndërron ngjyrën
Degëzat gjethojnë,
Ariu rrah daullen
Ketrat vallëzojnë.

Këndon gargullesha
Si me megafon,
Zëri saj i lartë
Gjumashët i zgjon.

Me penën magjike
Sjell ngrohtësi vere,
I mbëlton shpatijet
Me lëng manaferre.

PËR JUVE FËMIJË

i shkruaj këto vargje
Për ju fëmijë,
Për sytë e magjishëm
Plot me ngrohtësi.

Mendja juaj e ndritur
Ngrit shtëpi me kate,
Të bardha, të bukura
T’larta si pallate.

Ju, një shkop të vogël
E bëni raketë,
Krah zogu një flatër
E hidhni përpjetë.

Me baltë e gatuani
Bukën n’miniaturë,
Pa asnjë dru zjarri
E piqni në furrë.

Çupëzat e vogla
Shpesh bëhën mësuese,
E shpesh sikur nëna
Lyejnë buzët e kuqe.

Sikur balerina
Hap pas hapi shkojnë,
Në sheshin e rrafshët
Bukur vallëzojnë.

Çunat imitojnë
Bretkosa livadhi,
Herë i hapin krahët
T’i ngjajnë aeroplanit.

Luajnë rol babagjyshi
Me bastun në dorë,
Si ecën ngadalë
Rrugës me dëborë.

Imitojnë macen
Si fle me kotele,
Si hapë sytë këlyshi
Kur rri në fotele.

Bariu me qengjushin
Në fushë si argëtohet,
Nga dorë peshkatari
Peshku si frikësohet.

Imitojnë qenin,
Zhurma të makinës,
Fishkëllima treni,
Zë të kanarinës.
Veshur sikur ketra
Herë si lepuj mali,
Rriten të hareshëm
Në freski livadhi.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT