– NË TRI KOHË
Nganjëherë,
përhumbej hapësirave
rrokullisur plasaritjeve të së shkuarës,
çelur stisjeve të stinëve të thata,
udhëkryqeve, ku çdo kah qarkullimi është i errët,
e nganjëherë,
në tablonë e së ardhmes,
ku shkëlqimi i roztë në pëlhurë mezi shquhej,
penguar grisë së reve…
Në mes qëndronte jeta,
ajo e vërteta…
Çapitet ajo pa zë ndjesive,
agut gjymtyrët ende pa shpirë,
drita këmbën sapo vënë në shteg,
mëngjeseve, ku trëndafili i vesuar shkëlqente,
e vështrimi i tij të mbetej mbi lëkurë,
rrezes që ngroh skajet më të fshehta të së tashmes,
ku lumturia flet përmes puhisë së erës,
e gjithçka përreth bëhet më e bukur.
– GJYKONIN ZOTIN
Udhës së pambarimtë të ëndrrave,
bënte e zhbënte një dredhë floku,
tek priste të mbaronte një çast i trishtë,
kur njerëzit gjykonin Zotin.
UDHËHUMBURI, ATDHEU IM!
Si trupi pa kokë,
si vesa nën rreze tretesh
braktisur nga dashuritë
udhëhumburi, vendi im!
Piedestale, altarit të tradhtisë,
Zbrazur brendia
Shastisur në një mijë mërmërima,
midis pyetjeve, përgjigjeve,
alkimitë, mbuluar me zarfe heshtjeje,
tronditëse, zemërplasurat buzëqeshje.
Digjesh pishtar, ndarë e përçarë
Zhubrosur fjalët, shprishur thinjat
Feksin fasadat!
U zhbënë virtytet, i vranë fatzinjtë,
Zhuritur toka…
Ku dreqin dergjen dashuritë…?
A thua Zoti u lodh me lutjet tona e na braktisi,
Tek numëronte mëkatet e shumta?!
PRAG APOKALIPSI
Lëngon toka, braktisur prej Zotit e dashurive,
rënë duarve të lakimve,
të paskrupullta e të padukshme,
që betejën e kanë humbur me ndërgjegjen
e sot luajnë një lojë të re me maska.
Një tis trishtimi mbulon horizontin
E ashtu shtrihet syve tanë,
pasqyrë e asaj që strukim në shpirt…
Rënkon dhe deti,
Nga vala e përjetshme përkundur piskamash…
Pa peshq e alga,
veç ujë që mbledh lumenj të njelmët,
e s’resht së lari mëkate!