Wednesday, March 12, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poetin Ahmet Selmani

Çaste poetike me poetin Ahmet Selmani


QENI QË E HËNGRI KUFOMËN E PJETËR BOGDANIT
(ose të gjallët që flasin për diellin e shpirtit të arbnit)

Në Prishtinë
për dreq e shoh një qen me mjekër
njeriu
që përjarget gjersa e krijon një lumë
të frikshëm
s’di pse më shëmbëllen krejt si ai
që dikur
e hëngri kufomën e Pjetër Bogdanit
dhe sërish
po rishfaqet pas qindra vjetësh me turinj
të njëjtë
betohem në tokë e qiell se nuk është qen
i zakonshëm
që leh e nuk kafshon as edhe një mizë
ky është qen
me uri të moçme aq sa urrejtja e armikut
porse tani
s’ka më kush t’i hedhë ndonjë kufomë
për të ngrënë
prandaj ëndërron si t’i hajë të gjallët
që këndojnë
për klerikun e zhdukur me varr e asht
dhe që flasin
për “Çetën e profetëve” si diell të shpirtit
të arbnit.

GURI S’PESHON NË VEND TË VET
(ose fluturimi i zogut të dëshpëruar)

Guri
nuk peshon në vendin
e vet
çdo ditë po bëhet zog
i dëshpëruar
e futuron në dhé të huaj
me ëndrrën
që kullon lot prej vreri
si liria.

KËNGA E TURPIT
(ose lahuta e mykur)

Fati jonë
mbeti si hark i ngrirë nëpër kohë
e shigjetën
e mbajnë në duar për t’u ngushëluar
para dështimeve
që na ndjekin si stinë grindavece
gjithë kohën
përgjigjemi pa na pyetur askush
vetëm
për t’i mbuluar gënjeshtrat epike
që i mbjellim
si tëmotjet nëpër fushat e nderit
e duke kënduar
me lahutë të mykur nga kalbësirat
e burrnisë
e cila nngjan si një asht për qenin
e shtëpisë.



ZHVESHJA E NJË GRUAJE
(ose tharja e lumit të ndotur)

Një grua
u zhvesh në mes të shkretëtirës
dhe gjithë
burrat u shndërrua në një lumë
të ndotur
që derdhet para këmbëve të saj
diellore
gjersa thahet pak nga pak si qenie
prej zalli.


TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT