Ç’MË BËRE,MOJ LULE
Ç’pije më dehu,moj,që kam siklet
E vendi-vend,moj ,s’po më zihet?
-Nga krojet e mia,djalë,plot sherbet,
Nga vetë perëndia e bërë,pihet!
Ç’më vërboi,moj zanë e s’shoh gjë,
Me ç’helm,moj,të mjerin,më spërkate?
-Me qiellorët,o djalë,me sytë e mi,
Plot magji,djalë,i hodha zemrës sate!
Ç’më bëre,moj lule,më fort se rakia?
Tash,as emrin tim fare dot s’e di!
-Të pushtova,djalë,me buzët e mia,
Të t’i ngroh,o poet,të bukurat poezi!
DUHEMI SHUMË
Si valë deti më vjen në zemrën time,
Më zgjon me afsh:”Zgjohu,o djalë!”
Si zgalem në buzët me shpërthime,
Si në ëndërr,me puthjet plot zjarr!
Si një mal,në zemër më troket në gji:
“Zgjohu,o zemër,zgjohu-jam unë!”
Dhe sakaq,më miklojnë të bukurit sy,
I themi kohës:”Ik,se ne duhemi shumë!”
Dhe vjen si mimozë që çel në pranverë,
“Më prit,zemër,diellin në dorë të ta jap!”
Poezinë time,me mjaltë e flakëron përherë
Dhe në më zëntë gjumi-ti më zgjon prapë!
E DUA POEZINË
E dua,bre,poezinë…pa masë,herake
Po s’e dua të përgjumur,të sëmurë!
E dua të rrjedhë me vrull,si katarakte
Barrën e njerëzimit ta mbajë, si urë!
E dua poezinë,pa masë-të hapur;
Kurrë të fshehur,si kokën struci…
Nuk e dua poezinë një lis të kalbur
Dhe errësirë që vie nga i thelli pusi.
E dua poezinë…të çiltër,të tokës;
S’e dua abstrakte,pa gjak,pa gji…
O,e dua poezinë që zë i bën botës;
Pse jo,dashurisë së pastër-magji!
E dua poezinë pa masë, jo të hedhur si gur
Nëpër shtrëngata, dua të bëhet dhe flamur!
MONOLOG
Me punët pus,me fjalë të gjata
Gjithmonë të ndarë në principata!
O shqiptar,o plagë e vjetër
Në vend:”Shëndet!”,pse thua “Plaç”!
Pse po e ha kungullin për “pjepër”;
Pse e ha helmin për “ilaç”!
I sheh këto fusha,o Sulo,i sheh?
Të gjera,të bukura,çdo gur në vend të vet,
S’i kemi sot,si patëm as dje në Atdhe…
Pse ,vallë,gjithnjë del një dorë dhe na shet
E themi:”S’kemi faj,këmisha na u pre “Atje!”
Ne i bëjmë qejf vetes:”Jemi farë ariane…
Më të hershëm se Dielli,racë e lashtë!”
Sa them “pellazg”,sa “krenari dardane
Kërcejmë si gacë e ndizemi si kashtë!
Askush s’na ka faj në botë,Sulo,ta dish…
Qetësohemi si fëmijët:”Jemi të lashtë!”
Kush na ka faj,kur jemi ndarë në dysh
Dhe nëpër shekuj shitemi për një asht!