Vdeksh, moj ti, që fle zbuluar,
Në të shkretin ëndërrim,
Me çarçafin e rrëzuar,
Sikur bën qefinin tim.
Vdeksh, moj ti, që pjek nën hënë,
Gjinjtë-pjepra, mjaltë e vrer,
Zot, o zot, mos qoftë e thënë,
Që dhe syri vret e ther …
Vdeksh, që si vesë të mekur,
Bulon djersën mbi kërthizë,
Mbase ti më do të vdekur,
Me mornica më qëndis…
Vdeksh, që krahët si shandanë
I ke ndezur për të parë,
Tërë tempuj paganë,
Ndrinin me të tillë pishtarë.
Tërë kolonat prej mermeri,
Si këto kofshët e tua,
Kur të hyj me drithma tmerri,
Rënçin, më thërmofshin mua.
Vdeksh, që gjakun ma bën ujë,
Me dy gjysëmhëna pjeshke,
Digju, moj e zeza kujë,
Si një zjarr bubak,* prej eshke.
Vdeksh, që s’e ngre, – më thua,
U bë akull dyshemesë,
Mos e bëj qefin për mua,
Ëndrra, ëndërr,…s’di te vdes…