Nuk dua të më zgjuash nga gjumi i dashur,
Lermë në ëndërra, se ëndërra dua të shoh,
Po ëndërroj një ëndërr kaq të bukur,
Pse shëmtinë e realitetit dua të harroj.
Shumë më bukur është këtu, nën sytë e mi,
Ku marrin jetë imazhe të mrekullueshme,
Pse poshtë qerpikëve më vlon një marrëzi,
E më mban larg nga mizoritë e kësaj lufte.
Mos, të lutem mos … mos më zgjo,
Lermë në lëndinën plot lule të shëtisë,
Lermë të rri mbi barin e butë gjelbërosh,
Veten te shoh tek jam një syth luleje, një bisk.
Pastaj njëherësh rritem e lule bëhem,
E një bletë punëtore fluturon mbi mua,
Më prek si një dritë, e tepër e shkujdesur,
Thith nektarin e embël ndër petalet e mia.
Papritur … bleta merr një pamje burri,
Merr fytyrën mjekëroshe të një të panjohuri,
Ai më thotë, se me mua është i dashuruar,
Dhe për një çast, kjo më bën të ndihem e lumtur.
Aq shumë, sa vetë buzët dhe gjuha ime,
Ndërmarrin rrëshqitje të reja në ligjërime,
Por gjithësesi zemër, nuk dua të më zgjuash,
Jam më bukur këtu, nën qerpikët e mi, se në realitetin tuaj…