Vuthaj është fshat i komunës së Gucisë, që ndodhet në zemër të Alpeve Shqiptare, tash në Mal të Zi. Është fshat dhe trevë etnike shqiptare midis trekufirit shtetëror Shqipëri – Kosovë – Mali i Zi. Kufizohet me Gucinë (te Krojet e Ali Pashë Gucisë), me Malësinë e Gjakovës (Tropojë), me Thethin (Dukagjin), me Lëpushën (Kelmend). Në një rrugë automobilistike nëpër një luginë shumë të begatë e mes maleve të larta, Vuthaj lidhet me Gucinë (rreth 5 km) dhe me Plavën (rreth 15 km).

Fshati Vuthaj, vendlindja e shumë personaliteteve të mëdha kombëtare, është pjesë e krahinës së Kelmendit, në zonën e Plavë – Gucisë, i rrethuar nga bjeshkët e pasura e malet e larta. Popullsia i ka ruajtur mirë, më mirë se në çdo vendbanim tjetër shqiptar në Malit të Zi, karakteristikat etnike dhe identitetin kombëtar shqiptar. Deri në vitin 1948 kishte lidhje të ngushta me viset veriore të Republikës së Shqipërisë, kurse, me prishjen e marrëdhënieve Shqipëri – Jugosllavi, vuthjanët u lidhën fort me bashkatdhetarët në Kosovë, ku edhe gjetën mbështetje vëllazërore dhe ndihmë të pakursyer, sidomos në arsimim të të rinjëve. Me ndërtimin e rrugës Guci – Shkodër, zona e Plavë – Gucisë, duke përfshirë edhe Vuthajn, fituan një lidhje të mirë me krahinën e Kelmendit dhe me qytetin e Shkodrës, kurse po presin që shpejt të ndërtohet edhe rruga Plavë – Deçan, e cila do ta lidhte zonën dhe këtë fshat me rrugë shumë më të shkurtër me Kosovën.

Më herët popullsia është marrë kryesisht me bujqësi e blegtori, kurse kohëve të fundit, falë bukurive mahnitëse dhe shumë veçorive gjeografike e historike, po zhvillohet gjithnjë e më shumë turizmi malor dhe hotelieria. Janë hapur bujtina e restorante, kryesisht me ushqime tradicionale shqiptare, është ndërtuar një kompleks turistik, i quajtur “Ekofshati Vuthaj”.

Fshati Vuthaj, në lartësi mbidetare 1100 m. njihet për bukuritë natyrore, si një luginë e mrekullueshme e rrethuar me male të larta mbi 2500 m., i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit natyror, të sporteve dimërore, të trashëgimisë kulturore dhe të alpinizmit. Janë monumentet kulturore e natyrore që kohëve të fundit tërheqin turistë të shumtë, si Krojet e Ali Pashës, Syri i Kaltër, lumi dhe Syri i Skafkaçit, ujëvara e Gerlës, shtëpitë karakteristike etj. Afërsia me Plavën (liqenin e Plavës) e Gucinë shton edhe më shumë interesimin për ta vizituar e për të pushuar në këtë zonë.





