Monday, September 1, 2025
BallinaVitrina e libritE hëna poetike me poeten Lavdije Karrametaj Zalli

E hëna poetike me poeten Lavdije Karrametaj Zalli

FRIKA, FJALA QË MA MËSOI NÂNA JEME

T’gjithë kemi frikë, si kemi nânat tona,

Nën l’kurën tonë gjaku ngrin dhe shkrin,

U frikohem dhimjes, humjes,

Kemi frikë t’sjellim kryet mrapa,

Frikë se do t’na qorrohen edhe sytë e ballit.

T’ndryshme kanë kenë dhimjet,

Jemi rrzu e prapë n’kamë jemi çu,

Jemi vra aq shumë, saqë dhimjet tona,

Kanë me piku gjak për tanë jetën,

E ky gjak ka me u ngri mi ato plagë.

Nuk kam frikë nga frika,

Kam frikë nga humbja e frikës.

SHPUPURIT HIRIN E SHPRESËS

Eci e nuk ndalem dot,

Ani pse nuk e di fundin e kësaj rruge,

Eci mes përmes lëndinave të panjohura,

Nuk është e lehtë,

Për të zënë shoqëri me diellin,

Me hënën dhe me yjet,

Prandaj, thithi rrezet përveluese

Të këtij mëngjesi qiellor.

Eci dhe nuk ndalem dot përpara asgjëje,

Se dua të shpëtoj fluturat e fshehura

Nëpër zgavrat e kësaj bote,

Dhe lulet, të cilave iu kanë mbetur,

Vetëm ngjyrat petaleve,

Se aromen è këndshme marrë ua ka ligësia….!

Ecin vetë këmbët e mia dhe nuk ndalen,

Duan të më marrin me vete rrugës qiellore,

Që dhimbjen e fluturave mos ta ndjej,

Dhe për lulet mos të derdhi lot.

Por unë dua të ndalem pranë tyre,

Të rri me to e të kuvendoj,

T’ iu jap shpresë për jetën,

Edhe se vet shpresa është e përvëluar

Nga rreze gënjeshtrash,

Aq sa dhimbje nuk ndjen më.

Vetem era kur fryen,

Hirin e saj tek ne e shpërndanë…

NË DHJETORIN E HUAJ

Shqipëria ime!

Vendlindja ime!

Atdhe!

Mall shumë mall kam për ty,

Asgjë nuk më duket e bukur,

Kur larg teje jam,

Larg dashurive,

Që zemra me to rrah,

Ëndrrat me ty shikoj.

Aty linda,

Aty u rrita,

Aty mësova ç’është dashuria

Mendja më rri te ju

Vendlindja ime!

Shqipëria ime!

Atdheu im!

Vetëm në gjakun tuaj

Jeta ime është jetë.

Ju më mësuat ç’është errësira,

Ju më mësuat ç’është drita,

Ju më mësuat cila stinë bleron pranverë

Kur hyn një vit,

Kur një tjetër del,

Këtu në dhjetorin e huaj.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT