RRËNKIMI I ATDHEUT
(Fragment që vazhdon)
Mosni, mosni pashi të lumin Zot!
Mjaft bëtë tregti rrenash me mua,
Boll, boll se nuk më mashtroni dot
Se gjoja jemi të pandarë mish e thua.
A nuk ju mbushën mend murtaja e lufta
A nuk ju vjen keq për gjymtyrët e ndara
Edhe kur më mbani gjallë me ajri të ngathta
Edhe kur më nderoni në agoni me harta të çara.
Shumë po më lodhni me armiqtë para varrit
Kur natën më plagosin e ditën më varrosin
Shumë mirë ia thonë ritit me jehun e gjamëtarit
Kur para t’u besoni edhe sytë jua pluhurosin.
Ju që gjysmën e jetës më deshët e ndihmuat
U habitët si ju lanë pas dere të pushoni pa nder
Ju një çerek të saj nga përbuzja ime u hutuat
U habitët si pjesën tjetër të jetës e bëtë me vrer.
MËSUESI
I djeg sytë e vet
As dorën nuk e sheh
Të shohin të tjerët
Larg
Sa më larg
Mësuesi ngre kulla
Për të tjerët pas tij
Për të palindurit
E vet jeton në kasolle
Gjith jetën e vdekur
E bën me ujitjen
E shpresës së rrënjës
Mësuesi është vetja e tjerit
Është zjarr që ngroh
Dritën e pishës së vet
Nuk është mësues kot
Sot e në mot
Është përmot
PLAKJA JONË
Je plakur populli im
je bërë zomb i gjallë e i vdekur
Edhe dergjja na është plakur
Gjaku na është bërë raki e tepër
Duhet të ndërrohet gota ose pija
Më mirë të mblidhet gjaku i pastër
Një gjak i ri
Na duhet nga dialektet e gjymtyrëve
Që të kemi fuqi t’i përmendim
Ëndrrat tona të plakura
Në tryezat e salloneve
Ku bekohen veshjet gjurmëve të lira
Aty luhet repriza “Ëndrra e plakur”
Në koktelin që ta helmon sht(r)atin
Si përherë dje
Edhe këtë sot
Për nesër
ADEM
Emri yt
Nis me të parin e njeriut
Emri yt
Nis me të parën e A-Bë-Cë
Emri yt
Nis me datëlindjen e flamurit
Emri yt
Nis me agun e diellit të shtetit
Emri yt
Mbiemër i shpresës së ngushëlluar
Adem…!