Të bukurat,
Të pagojat,
Pjesë e poezisë së pashkruar.
Me flokë e pa rroba
Me kapele
Me lule në duar,
Me tinguj të çuditshëm zogjsh të imituar.
Herë si Borëbardha
Herë si Kësulëkuqja
Herë si shtriga me thonjtë e kthyer.
Herë si supermenë,
Herë si nuse a sirenë
Herë si artistë cirku në festën me gota të thyera.
I mbajmë në trena, avionë e jahte
I vëmë në çanta që shpinën rëndojnë
I vëmë në bankat e një klase
Apo në shtretërit e bardhë martesorë.
I vëmë në bufe,
I rreshtojmë në vetrina,
Para nesh ishin e janë të heshtura.
Para tyre bëhemi memecë
Nostalgjinë e ftojmë edhe më pranë
Qëndisim lule për ditët e paprekura.
Kukullat
Sozi e fytyrave tona brenda ëndrrës
Tingulli hyjnor i munguar i këngës.
Sfida ndaj urrejtjes dhe pabesisë
Portë e re që e hap Kodi i Dashurisë.
Herë si babushkat që vijnë nga tajga,
Herë si gjyshër që mbahen në bastunë
Herë me flokë të bardha si plaka
Herë me sy që lotojnë butë-butë.
Mos vallë
Dhe ne të gjithë jemi kthyer në kukulla
Që jeta
Na mban në duar si top e na përkëdhel??
Herë
Na jep faqeve një mijë të puthura
Herë na hedh në koshat e mbushura si.. leckë.
E prapë qëndisim kukulla pa fund.
Në garë
Me dëshirat që të jep ditënata e jetës.
Ooo,
Mos do të na ngatërrohet me to udha diku,
Dhe mbetemi
Duarzgjatur e të verbëruar para së Vërtetës???!!!
