KUVENDI I FERIZAJT
Muzgu i natës së gjatë aziatike po afrohej të binte,
Kur u rizgjua dëshirë e moçme sërish te ti,
Ndaj thirre në kushtrim burrat e tu nga shtatë në shtatëdhjetë e shtatë,
Për Shqipëri.
Ata erdhën te ti nga larg,
Mbathur një gjysmë opinge,
Edhe zbathur,
Nëpër fushëgropat tua, nga malet dhe istikamet tua,
Të përvëluar edhe nga stralli,
Nga halli dhe nga malli.
Zbritën tatëpjetë me një gunë në krah,
Me këngën majekrahu, kushtrim i kohërave nëpër zezona,
Që prore kishin ardhur netëve të vona, tek lindnin tragjedi të reja në kontinentin e vjetër,
Vinin me një trastë në shpinë mbushur bukë dhe barot bashkë me pushkën, testament i moçëm i baballarëve,
Erdhën edhe me pisqolla e kobure në shokë,
Te Sarajet e Bardha:
Për Kushtetutë, liri dhe Shqipëri.
Mjaft më na ka ndejtur si emblemë bloza e robit në ballë, pis e zezë,
Pazare me tokat tona më nuk ka,
Se edhe plisat e kokës me plisat e dheut përzier si mburoja nëpër istikame i kemi,
Plumbat flurudhë do të fluturojnë lart në qiell drejt yllit tonë plot dritë,
Se Mici, Sefa dhe Ali Ibra na vëzhgojnë tutje afër nga kodra e Slivovës, tek u marrin aromë luleve erëdhënëse të livadheve dhe s’ na lënë të gabojmë.
Erdhën te ti, qyteti im,
Ti i prite bujarisht me bukë e kripë,
Zakon i moçëm i shqiptarit,
Pjekur e djegur në diell korriku,
Mu atëherë kur piqet dhe fiku,
Sapo kishe hedhur shtat një bojë njeriu, lumë miku,
Kur varrëmihësit ende me lopata në dorë prisnin të na hapej varri.
Kapërcyen rrugë, shtigje, gryka dhe male,
Edhe përrenj e lumenj,Kalorësit e lirisë me kuaj të bardhë,
Me kuaj të zi,
Për një atdhe,
Që ti të kishe jetë,
Që ti të kishe sy.
Ca erdhën me Isanë maje kali,
Ca erdhën me Bajram Currin nga mali,
Ca me Hasan Prishtinën, deputet,
Sehir s’ mund të bënte as Idriz Seferi me trimat e vet.
Kuvendi i bënte të fala sulltanit:
Ti sulltan i haremeve të harlisura të Anadollit,
Të fala ke nga ne,
Na prit pra tash po deshe te portat e larta të Stambollit!