HENDEKU I LARGËSISË…
Mos u mëso me largësinë,
Se kur rri gjatë,
Ajo shndërrohet si një sëmundje kronike,
E pse të cëmbon, mësohesh me të,
Shpesh e thërret: “mike”!
E po u miqësove me të,
E pse s’e dëshiron,
I thua: “Të dua”!
E pak nga pak,
Më harron mua!
Asnjë s’e ka të lehtë,
Të kapërcejë hendekun e largësisë,
Prej pamundësisë…
Vetëm guximtarët shndërrohen me fletë,
Sheshohen malet,
Thahen oqeanet,
Pushojnë rrjedhën lumenjtë…
Ashtu si Mesia hapet udha,
Por koha që ka ardhur,
Edhe më guximtarit i ka fikur guximin,
E kështu s’ka më gra e burra,
Si Uliksi s’tradhëtoi Penelopën
Dhe si Penelopa,
Q’e ngushëllonte pëlhura…!
Sot jetohet në një jetë të gënjeshtërt,
Ku së pari gënjejmë veten,
Për të bindur tjetrin
E kështu shtyhen ditë – jetët,
Pa e shijuar jetën!
Të kam thënë:
“Ose s’jam me realitetin,
Ose jetoj realitetin e racës sime,
Ku besa ishte ligji i vetëm,
Se dashuri, do të thotë Besë!
Dhe kur japë Besën,
Sheshohen të gjitha malet,
Thahen oqeanet,
Lumenjtë rrjedhin mbrenda meje,
N’turbinate e shpirtit,
Më sjellin energji të pamatë,
Edhe kur s’ka asnjë mundësi për të ardhur,
Kam gjetur një mundësi,
Duke e kapur atë n’ajër!
…………………………………………….
Mos u mëso me largësinë,
Se kur rri gjatë,
Ajo shndërrohet si një sëmundje kronike,
E pse të cëmbon, mësohesh me të…