* Përditë e ma kjartë
Nata u shue
mbi lkurën teme prej guri,
m’u qetsuen gjurmët e saj n’zemër
e nadja çliroi nji lëndinë
poleni që un’ me pá
përditë e ma kjartë
si ndjenjat shpalosin
kambanat e trishta të kohës,
me botën e njeni-tjetrit n’agim.
* Kujtesë e dritë
Çdo natë
fjalë t’plasuna
flejnë ndër kujtimet tona.
Veç andrra gjithnji e virgjën
edhe pse kuptimi
nji ditë mund t’i bahet
dritë pa kujtesë.
* E piva ndjenjën me fund
E piva me fund,
ndjenjën e gishtave t’brishtë
derdhë lkurës, mandej mbështolla
dhuratë për natën teme
tablotë me nuanca të zeza.
Kam krijue shum’ herë gjana t’kota,
i kam besue kotsisë,
deti… ma burgosi rrenën e luleve
pritje e dënimit që s’njifja.
Ti the: N’se flas me gërma
bota ka me kuptue,
të besova ty, po jo botës!
U afrova nji hap honit,
gjithkush ishte rutin’e “paformë”
veç ledhatimit!
Gjithçka njisoj, njerzit gëzojnë.
Vrava pllumbat e mesazhet e lira
u dergja pasqyrash si frikë që s’njef hapsinë.
Tash s’dij, çka me bá me lirinë e kuptimit? Me flokët që tufa-tufa premtojnë kohën. Nesër, nesër kam me i zbukurue,
me kenë ajo çka duhet me kenë.
Çdo nesër vjen
e un’ mbes vajza e fjalës,
parregullsi e çastit kalendarik
tue dashtë refrenin tand të viteve.
Kam me t’kërkue gjithsesi, grue.