BALADË MESNATE
Mesnatës në udhëkryq takova nderin,
Që qante me ca lotë të nxehtë, të shkretë,
Sepse gjithkund i kishin mbyllur derën,
Porsi një kukuvajke, që ndjell ters.
I thashë me zë të paktë se s’ishte punë,
Kjo qarje e pasosur, ky lëngim,
Pasi të njëjtin fat kisha dhe unë
Në vendin ku vjen koha si mallkim.
I fola që të bëhej sy i Zotit,
Që dashurinë pa kushte na e dha,
Të derdhnin mbi të helm të gjithë të sotmit,
Të nesërmit harresën përmbi ta.
PËR TY
Dyzetë palë këpucë i flaka tutje,
Me mijëra kilometra bëra fir,
Ta ktheja zemrën time në një lutje,
Për puthjen tënde, ujë në shkretëtirë.
Dyzetë e një herë ti fjalën time
Nuk pate veshë, e shtrenjtë, që ta dëgjosh,
Prandaj u ktheve heshtur në një dhimbje
Dhe dhembjen bëre udhë, ku të kalosh.
Nuk jam trishtuar pse gjithnjë pas teje
Mes viteve unë renda si i marrë.
Prej tyre ia mësova shijen humbjes,
Që s’di pse më shenjoi fitimtar.
Dyzetë palë këpucë… eh, sa kujtime
Nga larg më çuçurisin lehtë në vesh,
Më thonë se, dhe pse ishe humbja ime,
Ma bëre jetën diell midis resh…!
OPTIKË NERVOZE
Kërhëri i kurvës bekon flakët,
Që fshatin shkrumb e bëjnë tani
Dhe në ekstazë, si shtrig i largët
Mbjell frikë e tmerr ndër njerëzi.
Krenohet hapur, si kaqolët
Kur bëjnë pa turp, si perëndi
Dhe nis feston, kur jeta botën
Zë e braktis në lemeri.
Kërhëri i kurvës ka shok veten
Dhe s’e këmben me tjetër gjë.
Që flakët egër mos na derdhen,
Saharën le të gjejmë për të.
PAMJE E VËRTETË
Gra e burra shkojnë rrugës në heshtje,
Me veshje të hijëshme, si pemë maji.
Shkëmbejnë paprerë përdhunshëm buzëqeshje,
Përdëllehen nga gazi e përvëlohen nga faji.
Enden mes fjalësh, përqafimesh, grindjesh,
Milingona gjigande nën qiell gënjeshtre,
Që gremisen, kur arrijnë pikën më ta lartë të ngjitjes,
Në greminën që hapën kokëfortësisht në ecje.
POROSI E PAKRYER
Më thonë; mbaj numra deputetësh,
T’i kesh ata një ditë për hall,
Unë numra lulesh edhe bletësh
Kam vënë plot gaz në celular.
Asnjë prej numrave të humbur,
S’do të më sillte një gotë ujë,
Ndërsa një bletë, nga çdo lule,
Çdo ditë sjell mjaltin për tek unë.
A thua strehë i bëj mëkatit,
Se kam shpërfillur porosinë,
Kur telefonin, larg acarit,
Me vesë e lava në lëndinë?!