Sunday, August 10, 2025
BallinaLajmeFenomeni i kurseve private në Kosovë nga mësimdhënësit: Mënyra se si po...

Fenomeni i kurseve private në Kosovë nga mësimdhënësit: Mënyra se si po bëjnë biznes në kurriz të nxënësve të tyre

Sistemi arsimor i Kosovës, thënë butë, lë shumë për të dëshiruar duke pasur parasysh edhe performancen shumë të dobët në Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). Ky sistem arsimorë çdo ditë ballafaqohet me sfida që po rezultojnë të pakalueshme tash e dy dekada. Një nga problemet më madhore me të cilat përballet arsimi është padyshim edhe veprimtaria e kurseve private të mësimdhënësve gjithandej Kosovës, shkruan Gazeta Metro.


Përhapja e fenomenit negativ të kurseve private, që punëtorët e arsimit e zhvillojnë jashtë procesit mësimor për të përfituar financiarisht, qëndron si problem ende i pazgjidhshëm dhe gjithnjë e më tepër në rritje. Me ligj, kurset private nuk mund të ndalohen, sepse punëtorëve të sektorit publik nuk u ndalohet puna edhe në atë privat, por ftesa e nxënësve nga mësimdhënësit e tyre në këto kurse paraqet konflikt të drejtpërdrejtë interesi.

Mësuesit e tillë në mënyrë të qëllimshme abuzojnë me mësimdhënien në shkollë, duke tentuar të gjejnë terrenin dhe të krijojnë hapësirën për t’i detyruar nxënësit e tyre që t’i kërkojnë ndihmë mësuesit për zhvillimin e kurseve private, qoftë duke mos qenë të përkushtuar sa duhet në mësimdhënie gjatë orëve mësimore ose edhe duke i kushtëzuar e dëmtuar nxënësit në notë.

Gazeta Metro ka kryer një hulumtim në dy gjimnaze të Kosovës për të parë se a ekziston ky fenomen në këto shkolla, sa është i përhapur dhe si ndikon te nxënësit e këtyre gjimnazeve.

“Më është dashur t’i shkoja në kurs profesorit për notë”, ka pohuar për Metron një ish-nxënës i gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë.

“Nëse s’do i shkoja në kurs, do më zhagiste në shumë mënyra për notën 5. Madje, përpos kësaj, duhej që t’i blija 5 libra të profesorit me të cilët i bënim detyrat e shtëpisë. Secili nga ta kushtonte nga 6 euro”, tha më tej ish-gjimnazisti.

“Kemi qenë 30 nxënës në klasë, 28 nga ne vijonim kurse të profesorëve tanë. Ka pasur raste kur ata që e kanë lënë kursin, janë dëmtuar më pastaj në notë.”

Për fund, ai tregoi edhe për çmimin e kursit: “Kushtonte 20 euro në muaj.”

Gjatë bisedës edhe me nxënës të tjerë të “Bedri Pejanit”, Gazeta Metro ka marrë vesh që së paku 8 mësimdhënës të kësaj shkolle mbajnë kurse private, njëri megjithatë vlen të theksohet se nuk pranon t’i ketë në kurs nxënësit që u jep mësim edhe në shkollë.

Këta 8 mësimdhënës ligjërojnë në gjimnaz lëndët e matematikës, fizikës dhe kimisë.

Gazeta Metro ka zhvilluar bisedë edhe me nxënës e ish-nxënës të gjimnazit “Xhevdet Doda” në kryeqytet, shkollë ku mëse 1.200 gjimnazistë vijojnë mësimin.

“Arsyeja pse e ndjek këtë kurs është se kam vërejtur mangësi të shpjegimit të lëndës nga profesori në klasë”, ka thënë për Metron një nxënëse e “Xhevdet Dodës”.

Ajo vazhdoi: “Në kurs, profesori është shumë më i vëmendshëm në pyetjet që kemi për paqartësitë e hasura në mësime, për dallim nga qasja e tij mospërfillëse që ka në klasë.”

“Me qasje mospërfillëse nënkuptoj reagimin e tij injorues e përqeshës nëse bëje pyetje të vazhdueshme në lidhje me detyrat që trajtonim.”

“Shuma mujore që duhet të paguajmë për këtë kurs është 15 euro”, përfundoi gjimnazistja.

Gazeta Metro kuptoi që këtij profesori nga njëra klasë e kësaj shkolle i shkojnë në kurs 11 ose 12 nxënës, e që në fund i bie së paku 165 euro fitim në muaj vetëm nga kjo klasë.

Nga hulumtimet e bëra, del se në gjimnazin “Xhevdet Doda” janë së paku 4 mësimdhënës që mbajnë kurse private me nxënësit e tyre, edhe këta të lëndëve si matematika, fizika e kimia.

Më tej, për Gazetën Metro foli edhe Fatmir Shatri, profesor i matematikës dhe njëherësh edhe njohës i mirë i çështjeve të arsimit.

“Për mendimin tim, ky është një veprim që mund ta konsiderojmë si shkelje të rëndë të etikës së mësimdhënësit”, tha ai në lidhje me kurset private.

“Në brendësi të këtij veprimi shohim elemente të korrupsionit, zhvatjes, pazarllëkut me notë – krejt këto thënë në mënyrë të butë. Natyrë të njëjtë ka problemi i organizimit të këtyre kurseve qoftë brenda apo jashtë lokaleve shkollore”, përfundoi profesori Fatmir Shatri.

Për kurset private u kontaktuan edhe Drejtoritë Komunale të Arsimit të Prishtinës dhe Pejës, komuna në të cilat Gazeta Metro kreu kërkime në dy gjimnaze për këtë dukuri. Sipas DKA’së së Prishtinës, zhvillimi i kurseve private në institucionet edukative arsimore është i ndaluar dhe evidentimi i rasteve me kushtëzime të vijimeve të kurseve pasohet me masa disiplinore, bazuar në  ligjore në fuqi.

Ndërkaq, DKA’ja e Pejës u pyet për këtë çështjen, por Gazeta Metro nuk mori përgjigje nga ta.

Kurset private përpos që dëmtojnë nxënësit, prindërit dhe sistemin arsimor në tërësi, gjithashtu janë goditje e madhe për mësimdhënësit që janë të përkushtuar dhe korrekt në punën që bëjnë, të cilët primare e kanë edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të njëpasnjëshme, e jo përfitimin financiar.

Ndryshe, duhet theksuar që cilësia e arsimit në Kosovë, është jo e kënaqshme. Rezultatet e testit të parë janë publikuar në vitin 2016, kur Kosova është radhitur në vendin e 68’të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test.

Ndërsa, rezultatet e testit të dytë janë publikuar më 2019, me Kosovën në vendin e 77’të, në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar vlerësimit./

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT