Ti rri e strukur në një cep
duron një dorë plot ligësi.
Ti që di të falësh aq ndjenjë
nga ai s`more kurrë dashuri.
Doje të bëheshe avokate;
tani përballë dhunës hesht.
I ke harruar plotësisht ëndrrat,
dëshiron vetëm gjallë të jesh.
Ngrihu nga errësira ku ke rënë,
me zë të lartë shqipto “Jo!”
Ti s’meriton aspak poshtërim,
as dhembje e vuajtje, as lot.
Duaje ti dritën, rrezen e diellit,
një botë ngjyrash të pret jashtë,
jeta është e egër dhe e vështirë,
prapë një dhuratë unike, e rrallë.