T’kam pritë
T’kam pritë, si gjarpni nën gurë pranverën
T’kam pritë, si i dëshpruemi dorën e Zotit
T’kam pritë, si buza e thame lotin, me njomë shpirtin
T’kam pritë, si plaki dimnak bajrakun, me shpresë se ka me verue edhe nji vjet
T’kam pritë, qysh pret fmija me u pjekë bojlia e parë
T’kam prit, si i humbuni shtegun e jets
T’kam prit, si i burgosuni pa faj lirinë
T’kam pritë
Se une di me prit
po ti s’di me ardhë,
Se njeri, bash rrugën drejt zemrës s’vet s’e njeh
Veç m’thuj, kush nuk ka hup asaj rruge ?
Deri sa ta gjejsh, unë kam me t’pritë
E n’ardhsh
N’se para t’del nji statujë,
Aty je ti i ngrimë n’mue
M’ka pas thanë Baba...
-M’ka pas thanë Baba
Jep shumë e merr pak, se ma shumë ka me t’metë
-M’ka pas thanë Baba
Mos t’vinë keq pse ka ai tjetri
Edhe n’mos t’dhashtë, t’paktën s’ka me t’lyp
-M’ka pas thanë Baba
Lakmia e vret t’zotin
-M’ka pas thanë Baba
Ruje ftyrën se gjithçka tjetër shkon e vjen
-M’ka pas thanë Baba t’miren e t’keqen i ba për veti
-M’ka pas thanë Baba
Asht mirë me pa para, po edhe ma mirë me e kthye kryet kaj herë mrapa
-M’ka pas thanë Baba
Kur s’ja njeh nderen tjetrit
Ja ke myll tana dyert vetit
-M’ka pas thanë Baba
Dera s’i myllet kurrkuj
-M’ka pas thanë Baba
Nuk lahet e keqja me t’keqe
-M’ka pas thanë Baba
Sa ma e neltë e përpjeta,
Qaq ma e thiktë e pjetposhta
-M’ka pas thanë Baba
Kurrgja s’asht Deka para Besës s’shkelune
Diell bjeshke i pa m’shirë
…
Kur shndriti e para rreze
mora rrugën, me ty n’krah si hija jeme
Kur folsha me ty, rrugtart thanshin “asht e marrë”
Ani çka !
Pa kanë pak e marrë
nuk mundesh me kanë as e lumtun
Pushuem leqeve e kundruem gojfilet si vallëzojshin me erën
Erën e majeve që m’i mshtjellke flokt me shami lulesh
E ti m’kqyrshe e gzojshe,
a m’dojshe a drojshe prej meje, s’e di
Asht zheg…
Po kurrkund tjetër nuk mundesh me u flladitë me borë gushti,
si n’bjeshkë teme
Çobajt m’dveten “për ku je nis moj çikë”?
E unë u përgjegja
“Deri n’fund t’kësaj rruge
Ku dielli ka me prendue
e bashkë me të dhe hija jeme”
Shkova si zanë e u ktheva si korb
Prej at natë shkrepat rreth nesh kanë met memec
Grykat kanë shndrrue ushtimën n’vaj
Lumit i asht shtue rrjedha prej lotve
E çobani e ka thye fyellin
Natën me hanë, thonë se endet hija jote tuj lyp mue