KUR AKOMA…
Cilës dashuri i përkas?
Asaj të prushtës, që dridhet e feks një çast,
Pastaj sprapset e zhytet nën brymën e hirtë
Që botë e zjarrtë lë pas?!
Asaj të amulltës, të psherëtimtës,
Që kurrë s’e njohu flladin e as shtjellën
Dhe fle e zgjohet në të njëjtin shtrat?
Asaj të rrjedhtës, që rrymon trupit tej e përtej,
Rrok e përpjek tallazshëm ndjesitë
E të përplas atje ku do dhe s’do të jesh,
Ku frymë jep dhe prapë gjallon?!
Cilës dashuri i përkas,
Kur akoma pres gjunjëzimin tënd?
Kur akoma pres gjunjëzimin tënd…


Pa bëzajt
Ai është buzëqeshje
Shpon tejpërtej mjegullat rreth meje
Pa bëzajt
Hiç, asnjë shkrepje!
Ai është vështrim
E rrokullis si zhongler rruzullin tim
Pa bëzajt
Hiç, asnjë pëshpërimë!
Ai është kripë
M’i shpërthen një e nga një receptorët
Pa bëzajt
Hiç, asnjë pikë!
Ai është frymë
Më përvidhet si ikacak anë e kënd trupit
Pa bëzajt
Hiç, asnjë grimë
Ai është gjumë
Më nanuris, më trullos e shpie në shtegtim
Pa bëzajt
Hiç, asnjë çikë…
Ai nuk bëzan, por nuk është heshtje!
Është rrokullisje, trullosje, shpërthim…
Thellë meje!