Erdhi koha..!
Ja pra ku erdhi koha..
Të mblidhem me gjethe, të gjendem aty
Në një tjetër botë mbase do bëja gjoja
Por tani s’kemi tjetër, jemi veç të dy!
Ja pra ku erdhi ora..
Rrugët t’më bekojnë për te ti
Në tjetër planet, se di ç’farë do doja
Bota që kemi na qepi dashuri!
Ja pra ku erdhi casti..
Mbi vazo hiresh të mbledh ca beharë
Mbase në tjetër trill, ky s’do ishte rasti
Por sot e dashur kemi tjetër zjarr..!
***
Ja pra ku erdhi koha…
Me tunikë e veshur si zot mbi ne
Dikur t’i merrja lotët me lot t’i mbuloja
Sot m’i vë përpara në rrugën ku më pe!
Fli, roje do rri..
Po të ulen e mbyllen qërpikët..
Si gardhi në kopshtin me bajame
-Fli, roje do rri deri në mëngjes..!
Sa yjet ti kem ngarkuar në karvane!
Buzët të çlirohen, të hapen paksa..
Unazë e zjarrtë, ke frikë ti puthësh
-Fli, roje do rri deri në mëngjes..!
Sa bryma të struket në cepa udhësh!
Supet të mbulova, mermer i zbehtë
Një dridhërimë më zgjon ndijimet
-Fli, roje do rri deri në mëngjes..!
Sa perëndi e dritës t’më dënoj shikimet!
Gjinjët oh, si bora mbi kaçube..
Kam frikë se shkrihen, buzët të vë..
-Fli, roje do rri deri në mëngjes..!
Sa vesa të vritet, xhamave pa zë
***
Si venerë e gjallë kurmi yt i fjetur
Pranga i vë vetes, bukuri që s’preket
-Fli, roje do rri deri në mëngjes..!
Ti zgjohu kur të jem udhë, që tretet!
Kohë ikjesh..
Kanë filluar të më rrallohen të dashurat nga kafeneja e zemrës sime
E shoh nga doreza e thinjur e portës!
Rrallë hynë..
Gjerbin një buzëqeshje, pa prekur buzët në filxhanin e shpirtit tim të nxehtë si dikur..!
Nuk i lë të paguajnë, edhe pse gërmojnë të gjejnë qindarkat e mbetura në portofolet e pangjyrta, si vjeshtë e gënjyer nga dimri..!
Kanë filluar të më ikin të dashurat..
Adresë më lënë një degë të thyer qielli, që hedh ca borë genjeshtare ku shkrihen gjurmët..!
Po unë nuk do e mbyll..
Nuk me lënë të falimentoj dallëndyshet..
Ato gjithsesi e dinë, se foleja e tyre e vjetër është aty në sytë e mi E dinë se unë nuk i gris fletët e pashkruara të pritjes..