PETRALBA DHE URA E VASHËS
Petralba ime në grykën e Matit,
Si një galaksi e pafundme yjesh
Të shkëlqejnë në errësirë dritat e shtëpive,
Kalaja të bën roje,
E Ura e Vashës e rrëfen përmallshëm historinë e dashurisë
E shndërruar në një legjendë të pavdekshme.
Bukuroshja matjane e këndej lumit
S’donte t’ia dinte për asgjë,
Ajo donte ta takonte Bukuroshin e përtej lumit
Edhe pse lumi i rrëmbyeshëm e rrezonte vazhdimisht urën.
Bukuroshi çdo ditë shkonte në breg te lumit,
Këndonte e vallëzonte me ritmin e valëve,
Përleshej me vale, kur çmendej lumi,
Për të dalë në bregun matanë,
Për të bukurën vashë,
Por lumi ishte më i forte se ai.
Djaloshi këndonte,
Vuante,
Dashuronte.
Vasha e bukur u betua mbi valët e egërsuara të lumit
Që ngriteshin kërcnueshëm përpjetë
E spërkatlat ia hidhnin në fytyrë:
“Urën mbi ty do e hedh, o lumë rrebeli,
Bukuria jonë do të jetë shtrati i urës,
Këmbët e saj do t’i vendosim mbi dashurinë tonë”.
Tërë qypin e florinjve e hodhi në lumë Vasha.
Ustallarët e dashuruar në florinjtë
Urën e ndertuar për të mos u shembur kurrë
Në Rrugën e Arbrit
E pagëzuan Ura e Vashës.
Të gjithë të dashuruarit,
Kur shkojnë në Kalanë e Skënderbeut
Mbi Petralbën time,
Nëpër Urën e Vashës kalojnë!
