Flutura kameleon
Ëndërrimtare e paparashikueshme
si gështenjë që shpërthen në prush,
herë kërcet krejt kërcënueshme,
herë kërcen e shpirtin ma mbush,
herë si kërpudhë e helmueshme,
herë shijon si i thati e ëmbli rrush,
përbindësh – bishë shkatërruese,
e herë më quan tëndin lepurush,
herë më vjen nëpërkë helmuese,
herë kotele që përkëdhel me push,
herë e acartë, e akullt, drithëruese,
herë e flaktë, përvëlonjëse si gusht,
dhelpërake, dhelatore ngacmuese,
e herë monstruoze godet me grusht,
herë ngadalë, e butë, përqafuese,
herë me dhëmbë që ngjiten ngushtë,
o ëndërrimtare e paparashikueshme,
ti më deh si verë e athët, herë si musht.