KOVAÇI HUMORIST Ishte një ditë e zakonëshme pune e periudhës që punoja si Mjek Veteriner Shërbimi dhe mbuloja fshatrat e bashkisë së Mamurrasit. Përveç masave profilaktike të sëmundjeve të transmetueshme nga kafsha te njeriu, që i subvenciononte shteti, shërbimet dhe mjekimet i kryenim me pagesën e fermerëve, kjo për faktin se ilaçet, dhe mjetet e injektimit të tyre i blenim vetë ne veterinerët në farmaci. Si zakonisht me çantën e punës në dorë dola në fshat për të takuar fermerët që në fermat e tyre kishin nevojë për shërbim veterinar. Teksa kaloja përmes plantacionit me mollë për të vajtur në lagjen Skunjel, më thërret Idrizi, kovaçi i fshatit. Ai ishte një burrë i moshuar, kovaç i zoti dhe që gëzonte respekt te të gjithë njerezit që e njihnin. -Doktor, dua të mjekoj dhitë për gëlbazë, mu drejtua, ishte fjala për të bërë dehelmintizimin e tufës së dhive kundër fashiolozës. -Tani i mjekojmë, nëse nuk i ke lëshuar në kullotë? -Po këtu i kam. I mjekova, ishin dhjetë krerë, lava duart, mora çantën për tu larguar. -Sa lek bën haku doktor? Më pyeti. – I ke falas nga unë i’a ktheva, – Jo, pse falas, apo se jam unë, e kishte fjalën për origjinën e tij. – Edhe ti ke bërë shumë ndere, ndaj dhe unë dua të respektoj, i thashë sa për ta lehtësuar. – Mirë faleminderit, por hajde të pijmë nga një cigare dhe të them një histori që më ka ndodhur dikur. U ulëm mbi barin e njomë, ai nxorri qesen me duhan të grirë dhe unë paketën. -Ndize nga e imja I thashë dhe i drejtova paketën Karelia që pija në atë kohë. -Dëgjo doktor, para disa vitesh, kur punonim në kooperativë më erdhi një fshatar i joni dhe më tha ti bëja një spatë. I thashë patjetër që ta bëj. -Më duhet shpejt, kur mund ta bësh mu drejtua dhe sa lek kushton? -Sot ta bëj dhe kushton njëqind lek. -Mirë filloje më tha, po të pres. -Mora një balester makine, e futa në prushin e farkës, e skuqa flakë dhe fillova ta rrah me çekiç mbi kull. Për një orë ja bëra gati. Merre i thashë dhe ja dorzova në dorë. E mori, teksa unë prisja të më jepte lekët mu drejtua: “lekët si kam në dorë por ti sjell shpejt, sapo të marr rrogën”. E pashë në sy dhe i thashë, nuk i dua më, as edhe njëmijë lekë po të jenë. -Pse nuk ke besim te unē? -Nuk është çështje besimi, por ti më prishe kenaqësinë time. – Çfar kënaqësi të prisha, mu drejtua? – Me atë njëqind lekshin që do më jepje, kisha menduar të bleja një gjysëm kile raki dhe një kile caraga (sardele). Caragat do i piqja këtu te prushi i farkës. Sa herë godisja balestrën me çekiç, imagjinoja, herë një met raki e herë një carage, ti ma prishe këtë lezet dhe skan vlerë më vonë. Ndaj dhe ti doktor merri lekët e hakut tënd të punës që bëre e shko pi një gotë konjak. Qesha me lot për ngjarjen e tij dhe pse jo edhe për fisnikërinë, për të mos i ngelur njeriu borxh. U largova duke i thënë, herë tjetër do ti marr, këtë radhë e ke falas.