KÂNGA E TYNE RRËFEN JETËN
Kish pas thânë Isuf Myzyri:
– O Ymer Riza, shtremboje Plisin,
se Dervish Shaqa e Demush Neziri,
na ruejn kângën dhe nèrojnë Fisin!
Iu shkoi zâni n´Kombe t´Bashkueme,
tue kjajtë hallet e Dardanisë,
se Shqypnia âsht e bekueme,
kur rritë k´si burrash të lavdisë!
Dhe nuk del sall një i vetëm,
që s´i digjet shpirti si gaca,
se kânga e tyne e rrëfen jetën,
jetë shqiptari, histori lum baca!
Kje me shumë fat Lluka e Epër,
dhuratë unike ia dha Shqypnisë,
nuk del laps as nuk mjafton letër,
vlerat e tyne me i rëndisë!
Janë mësim për breza e breza,
se si i këndohet shqip Atdheut,
se kânga shqipe nuk don meleza,
kjènë kreshnik kânge, Burrat e Dheut!
E sot frymëzim gjejnë gjeneratat,
nga porositë e kângëve të tyre,
se qysh mos t´na thejnë krajatat,
lanë histori, sagë shembëlltyre!
