PESHA E MUNGESËS
Pa dashje u rashë fundekrye
ca llogarive t’vjetra matematikore,
një ndjenjë e këndshme u rikthye
zuri vend mes rreshtave në fletore…
Plot zbërthime nata, përgjigje s’gjeta
ku e kalojnë vetminë shpirtrat e ngrysur,
si një shpend në ikje, iku dhe jeta
një zemër mbeti n’lot e përmbysur…
Hë pra, me ç’matet pesha e mungesës
kur lulëzojnë lulet e pemët n’mes t’majit?
Me katandisjen e humbur të shpresës
apo kandilin e shuar pa pikë të vajit?
N’fshehtësi do ta çeli një shishe t’verës
krejt ëndrrat mbrapsht ende pa u nisur,
t’festoj dashurinë në prag të derës
t’hidhet n’qiell ky shpirt i degdisur…
VARFËRIME SHPIRTI
Asgjë nga ethet e mbrëmshme
Zhurmë e bubullimë pa arsye
Rastisin ngjarje e të papritura
Hapa kopsën e këmishës
Fytin kishte djegur etja
N’kopsht gjinkallave s’u pushonte goja
Gumëzhinin natyrën me një zë trishtues
Shpirtrat e largët shpifnin t’paqenat
Tejkalova rrugën për në anën tjetër
Në mes të xhades një lule
Kishte çarë asfaltin
Lulëzonte e lirë, e buzëqeshur
Gjoksi i pushtuar nga ndjenja ndjellamirë
Hapte rrugën këtij shpirti fuqipaktë
Mbresa plagësh mbërthyen zemrën
Ikur ishin përjetimet si flluska të shuara
TË HARRUARIT
Ata bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë
prekin me shpirt kupën e qiellit
i lënë t’pushojnë buzëqeshjet n’fund t’ferrit
shpërlajnë mëkatet n’lumenj t’parajsës
në mendje mykin përjetimet e kujtimet…
N’vrapim pas bardhësive të jetës
shpejt harrohet ndonjë gur i rastit
i shkelur pa dashje para këmbëve,
n’parkun e kënaqësive tallet përfytyrimi
ngatërresa pragmatike përthyhen n’zemër
një arsye më pak për ta pritur të nesërmen
një më shumë për t’i hapur krahët lumturisë!
Ata nguten të kapin për fyti fort
pjesën e mbetur të jetës,
sa nuk i ka kapur ajo që kaloi.