BUKË DHEU
Nanë
më gatuaj një bukë dheu
me ujë shiu
e kripë loti
piqe me diell Kosove
ta marr me vete
në udhën e zezë
nuk do ta thyej
veç do t’i marr erë
e ta puth
sa të jem gjallë
e të kam mall për ty
oj nanë
ATA IKËN
Ata ikën
i çuan në dhomat e bardha të vetmisë
dritat ua kanë ndezur hijeve të tyre
që vallëzojnë
valsin e jetës
me një muzikë
që e dëgjon
vetëm muzgu
dhe unë
a hija ime
KOHË KOLERE
Sa i pastër ky qiell
si para miliona vjet
si dita e parë e tij
as një grithë e bardhe në atë blu
asnjë avion me bisht prej tymi
i madh
askund skaj
i thellë
i bukur
i urtë si loti
syri i Zotit
që kurrë nuk dremitet
as mbyllet
veç bebëzat i ndërron
e na sheh me pikëllim
neve të gjorëve
se si vdesim për çdo ditë
në këtë kohë kolere
nga virusi
me emrin e bukur kurora
VARGJET
Bulëzim sythash nën vesë
thimtha dalë nga këmisha e natës
që janë rritë janë ndezë
janë bërë për buzë
KREJT NDRYSHE
Krejt ndryshe
vetëm të vdekurit e njëjtë
siç i lashë të gjallë
me erë bari më përqafojnë
e të mallëngjyer
si engjëj nisen për në lëndinën e tyre të urtë
me ta edhe im atë
me lotin e vakët në fytyrë
ecën për në parajsë
e nga krahët prej mjegulle palltoja s´i bie