Saturday, August 2, 2025
BallinaVitrina e libritE shtuna poetike me poetin Hysen Grajçevci

E shtuna poetike me poetin Hysen Grajçevci

KALORËS I LIRISË

(METUSH KRASNIQI)

Ndoshta dhe jo!

Ndoshta dhe është rastësi!?

Lokomotiva në prapavijë,

Më dëfton se:

“Lokomotivë” ishe vetë Ti,

Vagonët ushtarë

e krushq për LIRI!

Termopilet kalove

Bacë!

Të nëntë rrathët

e purgatorit preke!

Ballë për ballë me vdekjen

Atdheut kalorës besnik i mbete.

AMANET FJALËN

Qoftë edhe në arkë…

Ruamani fjalën!

E kam dashur arkën e gjyshes!

Ajo, aty ruante kujtimet,

dhe sa herë e hapte

fliste me kohët

e mallit ia falte një melodi

kënge si në vaj.

Ruamani fjalën,

qoftë edhe në rrasë guri!

Ta lexojë e ta marrë me vete

secili kalimtar.

Ndoshta brenda saj

e gjen veten e tij,

Ndoshta…

loti i shndërrohet në mall!

TË JESH POET…!

Poeti, ndodh të jetë i uritur,

shpeshherë i pagjumë;

nuk mban rregulla për dukjen,

por, ama, fjalën e ka gurrë.

Poeti lindet nga hiri,

rritet furtunave, në dallgë;

shkronjat, i nxjerr nga prushi,

etjen, e shuan në varg!..

RRUGËTIM ME KOHËN

Me kohën ndiej se dashuria

shndërrohet në kujtesë,

shikimet shkrihen në vegime

e mistika mbetet brenda

imagjinatës

të ashtuquajtur shpresë.

Sytë janë po ata,

të etur e plot mall,

edhe atëherë kur ndjesia shndërrohet në dëshirë,

heshtja gërryen

dhimbjen pa fjalë.

Bari kohe ngela,

duke mbledhur penjtë e jetës!

Nuk di, arrita ta shuaj etjen

me aromë deti,

apo freskia e kreshtës u bë Eter!?

SHPRESA E GJETHES

Nga maje bliri një gjeth

në vals me erën,

shtatin përdredhë

Në finish,

përmallshêm puthë tokën

me shpresën se, prap

do lindet në pranverë!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT