PËRBALLË LIBRIT
Ese
Një libër ,kur qëndron për kohë të gjatë pa hapur, më kujton Borëbardhën e fjetur. Kur e merr në dorë, e prek me ndjesi dashurie, i puth me ëndje kapakët e ndrojtur, nis ta shfletosh dhe lexosh, ai ringjallet…dhe një botë magjie të hyn përmes syve, duke të dhuruar dritën e dijes e një përjetësi sublime. Kontakti me librin , ka drithërimën dhe joshjen e dashurisë. Një fletë e përthyer apo një flok i verdhë që e largon prej buzëve, të shton etjen për të panjohurën, të hedh nëpër kufinjtë e pashkelur të imagjinatës më të thellë, të vesh me padurim dhe rikthim femijëror drejt kureshtisë e zbulimit. Nëpër honet e pavetëdijes rrjedh e vershon një lumë i vrullshëm dhe i pandalshem emocionesh, dhe ti si një Promete i prangosur shijon gëzimin e vuajtjen.E keni parasysh një të dehur që shtrëngon gotën e rakisë, sikur ka frikë mos i ikën? Edhe një i apasionuar mbas librit, e mban atë fort në gji, lexon disa vargje dhe i përsërit, bën disa ecejake nëpër dhomë, lexon përsëri, mbyll librin e përsërit, dhe ngjan me një dervish kur rrotullohet në trans, i përfshirë në vallen e tij që i bën jehonë gjithësisë.Dashuria për librin është e beftë si një shkëmbim trenash ,dhe ti ndodhesh në mes. Një çast i papërsëritshëm, kur qenësia jote thërrmohet, kur në kokë nuk ke më asnjë mendim, kur ekzistenca jote shkrihet nëpër tymnajën e një dite të vrullshme, e të paharrueshme. Një libër i fuqishëm, ka aftësinë të ta japë këtë emocion. Lexime të mrekullueshme të disa prej librave që kanë lënë gjurmë, hyjnë brenda teje për të mos dalë më prej aty.Krijime te mahnitshme si ” Plaku dhe deti”, i Heminguejit, apo, ” Getsbi i madh” i Fitxheraldit”, por edhe vepra si” Gratë e pergjumura” te Kavabatës, e shumë të tjera të shigjetojnë për të të paralizuar përgjithmonë me një elezir bukurie…Janë ato lloj leximesh që ndryshojnë përgjithmonë mënyrën tënde të të menduarit, të lënë shenjë e të bëhen udhërrëfyes në kryqëzimin ku ndodhesh në të sotmen. Për të nisur një rrugëtim të ri, nëpër shtigjet e panjohura të jetës dhe artit.Këtë të bën përballja me librin…
