ARDHTË AJO DITË
Ti o lot që rrokullisesh mbi faqet e mia
Sa herë që përmenden plagët e Shqipërisë
Vjen si dëshmitar për dhembjet e pashuara
Për plagët e pashëruara të lirisë
A do të pushosh një ditë së rrjedhuri
A do të thahen faqet e mia nga ti
Apo do të të kemi nevojë
Si për bukën e përditshme
Dhe në ardhtë ajo ditë
Kur gëzimet t’a mbushin jetën tonë
Do të mbyllesh në burimet e tua
I harruar nga përditshmëria
Ardhtë, ardhtë e mësysh mos marrshim
NATË E GJATË
“Kjo do të jetë nata më e rëndë.
Armiku me të gjitha forcat do të hyjë
Nata do të jetë shumë e gjatë,
por muzgu do të vijë”.
Ne, këtu do të jemi
Dje, sot, nesër
Edhe kur ju të vini
Edhe kur ju të shkoni
Të gjallë, të vdekur, të tretur
Sot, nesër, gjithmonë
Roje të lirisë
Roje të shtetit tonë
RRI ME MUA
Rri me mua në ditët e rinisë
Ku ëndrrat janë fuqia e jetës
E ne vrapojmë si të çmendur
Rri me mua në ditët e martesës
Ku velloja zvarritet pas teje
E mendjen ma merr
Rri me mua kur rrisim fëmijët
Kur vaji i tyre s’na lë gjum në sy
E ne bashkë përkundim djepin
Rri me mua në ditët e përparimit
Ku gjithçka rreth nesh vezullon
E ne kënaqemi me ndriçimin verbues
Rri me mua në ditët e vajtimit
Kur errësira kaplon gjithçka
E ne mbështetemi shpindë për shpinde
Rri me mua në betejat e forta të jetës
Ku ndeshjet zhvillohen për mbijetesë
Kur kemi nevojë edhe për një buzëqeshje
Nëse s’rri me mua këtyre ditëve
Ne sjemi një
Fotografia jonë gënjen