Ai do të vijë,
Ti do ta çosh patjetër,
Ne do të dalim dhe do ta presim
Me tupan e me zurna,
Do ta marrim do ta hipim
Lart mbi supe,
Do t’i brohoritim
Deri sa të mos kemi zë.
Ai do të vijë,
Se ne e presim
Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin,
Do të shkelë këmbëzbathur
Mbi Dheun tonë,
Do të ndezë qirinj
Te varret tona.
Ai do të vijë,
Ne e shohim ëndërr përnatë,
Është kripëgjatë
Dhe nuk i trembet bishës
Që s’na lë të dalim
Nga portat e qytetit.
Ai do të vijë,
Ta therë në fyt bishën,
Do t’i pastrojmë puset,
Do të gjuajmë peshk,
Dhe shpesë dhe kafshë
Do t’i njomim flitë përsëri.
Ai do të vijë,
Se ne e presim,
Se ne vdesim përditë e më shumë,
Se qyteti bie erë kufomë.