U KTHEVA SËRISH NË PETRALBË
Lumi me nëntë plagë në shtat qenka shtrirë si kreshnik
Në mes të bjeshkëve të gjelbëruara nga poshtë
Në mes të bjeshkëve të thinjura nga lartë
E po rrjedhka i rraskapitur nën Urën e vashës.
U ktheva sërish në Petralbë.
Kalaja e Skënderbeut qëndron hijerëndë
E flet me heshtjen e saj të thellë
Për të gjithë ata që kanë mësuar
Ta lexojnë testamentin e dhimbjes.
U ktheva sërish në Petralbë.
Po kërkoj gjurmët e fëmijërisë
Të vajzës sy-jeshile
Po kërkoj shoqet, po kërkoj shokët
Për t’iu treguar se loja kukafshehtas
Ka përfunduar
E duhet të mblidhemi në qendër të Petralbës
Por asnjëri nuk më përgjigjet
Ndërsa heshtja tallet me mua.
U ktheva sërish në Petralbë
E kërkoj xhaxhain në shtëpi e s’e gjej
Më thonë se banon nën Blirin e Madh
E kërkoj babain në shtëpinë e shndërruar në gërmadhë
Gurët e themeleve heshtin e tinzisht i fshijnë lotët
Një bilbil këndon këngën për shtëpinë e braktisusr.
U ktheva sërish në Petralbë.
Nga dëshprimi më largon një zë i dashur
Është zëri i mësueses sime të parë
Është përqafimi i saj i ngrohtë
Janë puthjet e saj
Nuk kanë thënë kot:
Mësuesja është nëna e dytë.