Saturday, August 2, 2025
BallinaVitrina e libritRudina Muharremi-Beja-Pauza kafe

Rudina Muharremi-Beja-Pauza kafe

Sheqerosi me ngut kafetë e punëtorëve që po punonin në katin poshtë çatisë duke vendosur me estetikë filxhanët me ngjyra vjeshte mbi tabakanë e argjendtë ndërsa me dorën tjetër tërhoqi portën e cila u përplas më shumë se zakonisht për shkak të korenteve të ajrit. Një tufë rrezesh që thyheshin xhamit dukej se përpiqeshin me çdo kusht ta njoftonin se ishte bërë vonë për punë ndaj shpejtoi hapat më shumë.- Oh,faleminderit zonjë,-ia kishin pritur dy të rinjtë njëzëri kur e kishin parë të mbërrijë ndërsa i shoqi që merrej me një punë të vogël aty pranë, e ndiqte me sy…-Po për mua solle,- ishte afruar ngadalë i sigurt që në atë tabaka ishte edhe filxhani i tij i verdhë, për t’iu drejtuar më pas me buzën në të qeshur njërit prej punëtorëve në gjuhën tonë;-Do ta kthesh një teke raki? Hë si thua, është raki thane, – kishte vijuar t’i bëjë publicitet faqores së vogël që mbante atë lëng transparent- Jeni bashkëkombas? -ia kishte pritur kolegu tjetër, -dhe ju keni ardhur këtu sepse e keni patur të pamundur të jetoni në vendin tuaj? -Bashkëkombasi juaj, kolegu im ndjehet mirë këtu dhe më ka folur shpesh për vendin dhe njerëzit e atjeshëm. Për infrastrukturën dhe rrezikshmërinë e lartë, rrëmujën e madhe të ndërtesave që mbijnë si kërpudha, mungesën e esenciales dhe ligësinë e njerëzve që përditë e më shumë egërsohen dhe njohin vetëm një zot; paranë! Ajo kishte ulur kryet pothuaj përtokë dhe sytë i mbante mbyllur fort si për të dashur të mos e shohë fytyrën e bashkëkombësit ndërsa mbi të sajën zbriste ngadalë një vel trishtimi…Impulse metalike ia shponin gjoksin kurse lëvizja e lehtë e buzëve mundi të nxjerrë vetëm ca tinguj të shuar, por të mjaftueshëm për të manifestuar jodakortësinë me djalin që gjerbte kafenë e thithte sa mundte një llullë elektronike Kishte qëndruar pa lëvizur shkallës së parë nën një heshtje që drithëronte dhe vetë ajrin, si ajo që vjen fill pas një eksplozioni të beftë e të frikshëm… Ngriti kokën më në fund për të shquajtur mirë tiparet e punëtorit bashkëkombas duke e parë në xham të syrit dhe më pas i foli me një zë pothuaj të tronditur kolegut që mbushte kohën me pritje…- Ndoshta, unë nuk jam në gjendje t’ua përshkruaj siç duhet magjinë e perëndimeve të tokës sime,qiejt e pas stuhive që pikturojnë ylberë ngjyrash e shpresash për një të nesërme më të mirë,mërmërimën e pareshtur të valëve që flasin me gjuhë perëndishë e zemrën ma mbushin gjithnjë me mungesë,e as mençurinë maleve të larta që me kreshta të bardha shpojnë qiellin, ujët e akullt e të kulluar të bjeshkëve, urtinë e lumejve që thellojnë shtratin sa herë mbledhin dhimbje…Ndoshta do të qe tërësisht e pamundur t’ua përshkruaj bujarinë e vatrave tona, këngët e bukura që lahuta ka përcjellë mot pas moti, vyrtytet dhe mirësinë që mbart gjoksi i bashkëatdhetarëve tanë të zgjuar tek rropaten të fitojnë me nder kafshatën e përditshme, udhëtojnë lundrave lëkundëse në një vend që ende s’i ka gjetur binarët e duhur drejt një zhvillimi e një demokracie të shëndetshme… Me siguri djali, bashkatdhetari im dhe kolegu yt, ka dashur të shprehet për një grusht horrash, njerëz të paudhë që errësirava endin pezhishka në të cilat do të mbesin peng po vetë, por malet s’tunden me përralla,ndaj secili prej nesh duhet të mësojë të ndezë dritën e tij…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT