TE SHTËPIA E FËMIJËRISË
Më zë shpesh malli për shtëpinë e fëmijërisë
Shtratin me kashtë,muzikën e tëpinit të Nanës
Magjen prej druri, hambarin, tinarin e bujarisë
Odën e burrave ku shijonim tingujt e Kangës.
Si ketër trupoj rrugën e Jetës
Por copëzat e shpirtit nuk janë në gurë
Nana,babai,xhaxhai, djepi, ormani i librave
Veç lulet e bardha të kumbullês si dikur.
Nuk është as koshi me thupra thane
As kapixhiku ku më priste Nana te gardhi
As molla e vjetër në mjedis oborrit
As shtëpia me qerpiq as qerrja me bari
.
Kovja me ujë e çekërka te bunari
Më presin ta shuaj etjen e mallëngjimit
Eu, sa fort më paska djegur malli
Nĕ çdo qelizë jonet e trishtimit.
Veç çantën e shkollës ende e ruaj
Se nana Xhemile ma kishte qepur
Saherë deri në dhembje për të vuaj
Çmallem me artin e zemrës së djegur.
Poezi nga Rizah Reshani