Me një shtrirje poshtë Grykës së Rugovës, horizont të mrekullueshëm e atraksione të shumta turistike, nuk është çudi se Peja është prej qyteteve më joshëse për vizitorët ndërkombëtarë e vendorë.
Vetëm 11 kilometra larg qendrës së Pejës, në fshatin e Radavcit, gjenden dy atraksione të tilla turistike – burimi i Drinit të Bardhë dhe shpella e Radavcit,
Këto dyja janë vënë nën mbrojtje si monumente natyrore në vitin 1983, ndërkaq patjetër se cilësohen si vende që çdo njëri duhet t’i vizitojë.
Për të shkuar te burimi i Drinit të Bardhë, rekomandohet që me veturë të shkoni deri në restorantin “Ujëvara e Drinit”.
Nga aty fillon shtegu i lumit – shteg i mbuluar me pemë të gjata të cilat e mbulojnë me hije ujin e akullt që rrjedh nëpër gurë dhe ofron pamje magjepsëse.
Nevojiten pak minuta ecje për të arritur deri te një urë e drurit e cila ju shpie te pjesa ku rrjedha e Drinit e krijon një ujëvarë të bukur e të lartë prej rreth 30 metrave.

Ujëvara e Drinit të Bardhë është bukuri natyrore dhe një nga burimet më të rëndësishme të Kosovës qe gjendet në fshatin Radavc, Pejë.
“Ujëvara e Drinit të Bardhë” është bukuri natyrore dhe atraksion turistik i komunës së Pejës. Ajo është një nga ujëvarat më spektakolare të Kosovës, e cila vizitohet nga turistët gjatë gjithë vitit. Burimi i Drinit të Bardhë është një nga burimet më të rëndësishme të Kosovës dhe një nga burimet, që furnizon qytetin e Pejës me ujë të pijes.

Buron rrezë bjeshkës së Rusolisë, nga gurra e shpellës së Radacit në lartësi mbidetare prej 586 m. Burimi krijon edhe ujëvaren e bukur të Drinit në gjatësi prej 30m. Në territorin e Kosovës – Drini i Bardhë gjarpëron për 122km në drejtim veri-jug. Ai mbledh në vete edhe ujërat e Lumbardhit të Pejës, Erenikut dhe Lumbardhit të Prizrenit.

Me një madhësi prej 4646 km2 dhe bazeni i Drinit është më i madhi nga 4 bazenet ujëmbledhëse të Kosovës. Qasja për në burim mund të bëhet nga dy anë: ku njëra anë të shpie nga rruga e hidrocentralit apo restaurant “Ujëvara e Drinit” për të ndjekur pastaj shtegun e këmbësorëve përgjatë bukurisë së lumit Drini i Bardhë në gjatësi deri në 400m, si dhe qasja tjetër në drejtim të restaurantit “Trofta e Drinit” ku mund të afroheni me makinë deri te shtegu për të vazhduar ecjen deri te ujëvara.
