ZËRI I VETMISË
Majës së bjeshkës portrete
të zhveshura,
brendësisë rrjetë e marimangës,
gurëve të vetmuar dergjen,
hijet e mbetura
.
Gurgullima e ujit përrenjëve,
nuk e nxjerr zërin e jetës,
vetëm e prish qetësinë
e brishtë,që aty-këtu
e shoqëron kënga,
e përmallshme
e ndonjë zogu.
Lugjeve të pjerrta të ngatërrohen
udhët,
barit të thatë të rrëshqasin
këpucat,
krandet flasin me cungat,
sikur njeriu para
agonisë së vdekjes…
Kush bjeshkës i hoqi duvakun,
dhe e bëri të përkulej
para stuhisë,
i gëlltiti ngjyrat e parajsës
mbi supe mban fajin
plagën e fshehtë të kohës.