Poetët…
A ju kujtohen poetët,
gjithmonë me të njëjtin kostum doku kinez,
herë të parruar herë të qethur keq…
a ju kujtohen me të njëjtën këmishë kuadrate edhe në plazh,
me një bllok shënime në xhep e një laps,
që ecin kokë ulur e thithin duhan të fortë,
që bashkë me tymin nxirrnin vargje
që mbeten edhe se një ditë ata nuk do ishin më…
A ju kujtohet sa bukur i flisnin vajzës,
asaj që e deshën dhe nuk e patën kurrë,
askush nuk e mori vesh,
edhe ndonjë flirt të ndodhur ashtu,
nga një dobësi mashkulli në trup të poetit,
dhe femrës që ishte idhulli i tij…
sado me thashetheme
nuk e mori vesh njeri.
A ju kujtohen…
që nuk i nxorën kurrë në treg dashuritë e përjetshme
dhe ato që zgjatën vetëm një natë…
poetët babaxhan
me të njëjtin kostum prej doku kinez…