Sunday, August 3, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me vargjet e poetit Xheladin A. Çitaku

Çaste poetike me vargjet e poetit Xheladin A. Çitaku

SHPËRFYTYRIM

Në stolin përballë qëndron një i njohur,
një kafe po pinte dhe bënte muhabet,
shikoheshim, herë-herë, ca si në të ndrojtur,
unë nuk po i flisja, as ai s`po më flet.

Dikur ishim shokë, miq vetes i thoshim,
qanim hallet tona, llafosnim jo rrallë,
e sot, në këtë lokal, orekset i joshim,
bëjmë sikur nuk shohim kë kemi përballë.

Mendja koklavitet në thellësi kujtimesh,
kur takimet tona shalonin ngazëllimin,
kur ishim të çiltër, pa truqe mashtrimesh,
në kohë kthehet pas, e shijon zhgënjimin.

Nga vështrimi ballas me stolin matanë
diku në mes nesh përthyhen shikimet
një tis egoizmi mespërmes na ndan
mjegullon dëlirësinë e i ftoh ndijimet.

Mbërthyer virtyti në vese të çoroditjes

shokët e dikurshem s`duan të njihen tok

njëri ka shijuar ëmbëlsinë e ngjitjes

tjetri n`rrugë të jetës, ngelur fare trok.

HARBUAR AMBICIET

Më tha një i ri, më tha një çunak;
“nuk guxon ta shohish kthjelltësinë,
se nuk ke sy për të, ti i gjori plak,
nuk ke as këllqe të matesh me rininë.”

Më tha një çunak, një trim me fletë,
që shaluar e kishte pegasin e jetës;
“s`guxon që ta thuash një të vërtetë”,
ishte një çunak që i bënte qejf vetes.

I riu, sikur veriu, ngutet ndonjëherë,
vullneti i freskët e bënë që të nxitohet,
ëndrra e harlisur dimrin ia bënë verë,
kur ta përplasë jeta, dehjesh esëllohet.

Plaku ka kaluar sfida e mynxyra,
su trembet stuhive as nuk rrëzohet, një jetë të tërë ska pasur dy fytyra,
ai që e përçmon, duhet të turpërohet.

Në këtë botë virane, njeriu harbon,
rend azat pafre në shtigje shfrenimi,
se do përdredhë bishtin, sikur e harron,
e do ngelet një hiç, në stoqe kujtimi.

ORKESTËR E Ç`AKORDUAR

Horizontit të mjegullt
dielli zbehtë shndritë,
në bardhësi të mugët
ku rrezet ngecin
shtëllungave avullnajash
të ditës së numëruar
në kalendarin e shpresës.
(E pëllumbat…
vështirë orientohen).



Shtigjet e ëndrrave,
tek përthyhen
udhëkryqeve
të hamendjes,
mbërthehen dilemash
që mbijnë
nga shkurret e mbjella.
(E fluturat…
ngatërrojnë petalet).



Valëzimet e tingujve
oshtijnë mbyturazi,
orkestrash
të pa akorduara,
himnet përpëliten
n`kakofoni krrokamash.
(E dirigjentët…
humbin ekuilibrin).

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT