Në kafenenë “Coin bar”
Bar kafeja ka tre sheshe-kafe,
Në trotuar,
Holli
Dhe salla brenda bar kafesë.
Në trotuar ulen gjimnazistët
Për t’u buzëqeshur gjimnazisteve
Dhe ato që s’i përfillin
Tundin flokët e gjata pas supeve.
Në hollin e bar kafenesë
Pihet duhan nga të dy sekset.
Secili paguan kafen e vet,
E kur paguajnë kafetë e tavolinës
Gjimnazistët ndihen keq
Nga mendimi,
Se si t’i kërkojnë babait
Monedhat e kafes së nesërme.
Në sallën e brendshme të bar kafesë
Mesoburra, mesogra,
Të moshuar fisnikë
Pranë njëri tjetrit a përbri,
Në tryeza me qirinj ndezur
Pijnë kafenë në qetësi.