Saturday, August 2, 2025
BallinaUncategorizedSylejman Salihu-SHPALOSJE NGA LETËRKËMBIMI MIDIS LASGUSH PORADECIT DHE EQREM ÇABEJT

Sylejman Salihu-SHPALOSJE NGA LETËRKËMBIMI MIDIS LASGUSH PORADECIT DHE EQREM ÇABEJT

Kisha lexuar moti shkrimin e Eqrem Çabejt ”Mbi poezinë e Lasgush Poradecit” ku në fund të eseut shkencëtari i madh Eqrem Çabej porosiste dhe nxiste lexuesit, veçanërisht rininë shqiptare që të lexohej poezia e këtij shkrimtari të madh qysh atëherë:”Djalëri shqiptare këndo Lasgushin dhe vdis”!!!Eseu ishte nga shkrimet e para eseistike për poetin e madh pogradecar, i cili në fakt po sillte një poetikë të re krejt të veçantë në letërsinë e viteve të tridhjeta. E dija se Lasgushi dhe Çabej ishin studentë dhe shokë të Gracit dhe doemos se ata edhe mund të kishin frekuentuar njëri-tjetrin në atë kohë studimesh. Por se ata kishin pasur edhe një korrespondencë edhe më të hershme, madje qëkur Lasgushi ishte në Bukuresht, e pashë vetëm tash kur një ditë shtatori në një librari në Tiranë syri më kapi një libër të Moikom Zeqos bukur voluminoz, mbi 450 faqe format A4 me titull “Lasgushi i panjohur”(Sprovë për një lexim të ri, Tiranë, 2017).Vetë titulli më intrigoi dhe pa menduar shumë e mora librin dhe po shfletoja faqe më faqe, duke i besuar Moikom Zeqos, se ai duhet të ketë sjellë diçka të re, doemos, diçka nga Lasgushi i panjohur,për çka aty edhe rrahte interesi im si lexues.

Moikom Zeqo, duke i quajtur binjakë të Lasgushit, Eqremin dhe Mitrushin, patjetër që binjaku i parë shpirtëror i tij duhej të ishte shkencëtari i madh i klasit të parë, i papërsëritshmi deri sot, albanologu dhe ballkanologu Eqrem Çabej. Në më shumë se 30 faqe Zeqo sjell materiale të ndryshme nga epistolari i këtyre kolosëve të mëdhenj përmes korrespondencave pra midis Lasgushit dhe Çabejt, të cilat ishin të një periudhe prej një çerekshekulli dhe nga të cilat lexuesi do të njohë më mirë raportet shoqërore dhe miqësore të këtyre emrave të mëdhenj të gjuhës dhe letërsisë shqipe, por edhe punët dhe veprimtaritë e tyre studimore, shkencore, patriotike, që bënin ata për Shqipërinë.Përse autori i quan binjakë, natyrisht jo binjakë fizikë, por binjakë shpirtëror këta?Nëse do të shikojmë fotografinë e tyre të bërë në një park duke shëtitur si studentë në Austri, ata të ngjajnë tamam si dy binjakë, ndonjëse njëri më i shkurtë, kundrejt tjetrit që ishte më i gjatë. Por që të dy ishin veshur në mënyrëe elegante siç rëndom vishen binjakët, duke treguar së jashtmi edhe me veshjen e tyre identitetin e tyre gjenetik. Të dy këta teksa ecin krenar me një ecje aristokrate janë të veshur me kostume, të dy kanë pallto të gjata , të dy kanë mbi kokat e tyre kapela republikë dhe të dy kanë edhe bastunë. Po bastunë përse të kishin ata, kur ishin aq të rinj? Ishte kulturë, ishte modë, madje ishte shenjë aristokracie të kishe edhe një bastun me vete.Kur Lasgush Poradeci i kishte thënë Eqrem Çabejt se do të duhej të kishte edhe ai bastunin e tij, ndonëse ishin studentë të rinj, ai ishte habitur dhe kishte hapur sytë:

-”Edhe bastun!!!

-Po, po edhe bastun!- ia kishte kthyer poeti i veprave “Vallja e yjeve” dhe i “Yllit i zemrës”.

*

A ka një koleksion letrash Lasgush-Çabej?

Po, ka një të tillë dhe madje, të mbajtur mirë.Kush e kishte nisur i pari? Ishte Çabej, ai që i shkruante Lasgushit nga Graci një ditë vere, më saktë me 8 gusht 1925. Që nga ajo ditë të dy këta studentë shqiptarë , do të bëhen më vonë krenaria e kombit shqiptar dhe kjo korrespondencë vazhdoi deri më 25 shtator të vitit 1950. Një çerekshekulli komunikim herë më të shpeshtë e herë më të rrallë, herë më të nxehtë e herë më të vakët, varësisht nga rrethanat e tyre, në të cilat ata ndodheshin atyre viteve bashkë me detyrimet studimore. Në këto letra ka edhe intimitet por ka edhe informacion. Të dy, Eqremi dhe Lasgushi kishin një adhurim pothuajse të çmendur për njëri- tjetrin. Ata shprehin fjalët më të ëmbla dhe më të dashura, ndonëse ndonjëherë edhe nuk ngurrojnë të qortojnë njëri-tjetrin, por dominon dashuria e pastër vëllazërore.Letrat e tyre flasin dhe na japin informacion për punën e tyre, në dobi të atdheut të tyre, Shqipërisë, nga e cila kishin ardhur të studionin dhe që t’ i ktheheshin një ditë, ashtu siç edhe ndodhi në të vërtetë, sepse ata e ndjejnë si detyrë, që të bëjnë diçka për atdheun, për Shqipërinë, për letërsinë “në ringjalljen e literaturës s’ onë në lartësimin e shqiponjës poetike me krahë të pathyeshme”(100).Ashtu si edhe Konica në skicën e tij antologjike “Malli i Atdheut” ku thotë:” Duhet të jeshë jashtë Shqipërisë, e te jesh larg, per të kuptuar se ç`force e ç`bukuri te embel ka per veshet kjo fjale: Shqiperi! edhe Lasgushi e ripohon të njejtën formulë mallëngjimi që ndjen për Shqipërinë, sepse edhe ai është larg saj: ”Vlerën e Atdheut e kuptojmë kur jemi larg tij. Prandaj edhe unë dua të mbetem larg(…)dhe kështu duhet edhe ti”.(102)

Kështu një ditë i vetmuar teksa lexonte dhe i mbushur plot melankoli, Çabej do ta niste një letër për sivëllain e tij dhe madje do t’ i thoshte se do të nisej që tani për të ardhur në Bukuresht: “….pyeta veten ç’ më shtrëngon të rri këtu në këtë kaos të helmit dhe bëra planet të zhdukem më këmbë natën prej Graci për në Bukuresht, fshehura doemos;lashë rrobat e i shkëmbeva me një pal edhe më të vietra,shita një pardesus, desha të shes edhe sende të tjera, por nuk munda t’ i mund dot ndëpunësit e disiplinës së hekurtë gjermane me asnjë siellje “terrible” si ç’ dimë të bëjmë ne të dy….Mirë po vonesa e daljes së passaportit më la kohë të informohem pakë mbi udhën që duhet të bëja;eh i dashur mik një muaj udhëtim në vapën e fushës së Ungarisë, ku dëndur bie shi,pa të holla në xhep,do të ish një katastrofë për mua me konstruktin tim delikat, një nga të dyja:ose të vdisnja nga ndonjë sëmundje, ose dielli do godiste trutë e minj, siç i ngjau dhe Hoerderlinit….”(100).

Më 31 maj 1927 kur Eqrem Çabej ishte në Romë për arsye studimore ku sudionte natë e ditë për letërsinë arbëreshe, Lasgushi do t’ i shkrujajë letër atij, duke i qarë hallin e tij se ishte i sëmurë dhe mjerisht nuk iu gjend afër. ….”Po digjem në shtrat prej 18 ditësh. Që kur ke ikur ti, jam hidhëruar shumë herë, kam vuar pa masë, pastaj rashë i sëmurë, i sëmurë po t’ i shkruaj sot këto fjalë, o shok i dhemshur që mezi u kujtove të më sjellish ndërmend pas një kohe kaq të gjatë! Si munde të më lesh,si munde të rrosh larg meje, si s’ të këputi malli për shokun e largë?”.Pastaj vazhdon përsëri:”Ah shok i shtrentë Eqrem!Dëgjo, po dridh-u mu në fund të qenies s’ ate, merr vesh për këtë të vërtetë të përjetëshme:shpirtrat tona, j-u përkasin njeratjetrës: ju përkasin që në ditën e parë kur një predestinim na bëri që të piqemi bashkë.Kudo që gjendesh, çfardo që të bësh-mëndjen tek unë!”(106).

Një letër tjetër do t’ i shkojë Lasgushit nga Çabej, atëherë kur shoku i tij po dergjej në shtrat me ditë të tëra dhe të cilit nuk i gjendej pranë siç ka dashur ai vet. Çabej do t’ i shkruajë rrufeshëm këtë letër me fjalë tejet të ngrohta dhe ngushëlluese, madje duke e quajtur me frazeologjizma hiperbolikë popullor:”Fort i dhemshur dhe i vetëmi shtatë herë vëlla!”, gjë të cilën do t’ ia rikthejë edhe Lasgushi Çabejt me të njejtën mënyrë :”Fort i shtrenjtë dhe i vetëm Eqrem”. Ata janë të lidhur shpirtërisht dhe emocionalisht me njëri-tjetrin sa vazhdojnë të jetojnë si dy binjakë, duke bërë secili në mënyrën e vet aq sa munden më të mirën për njëri-tjetrin.Kur Çabej do të vinte në Graz, Lasgushi nga malli dhe dashuria që ka për të, e këshillon që të mos shkojë për bujtje në hotele dhe bujtina të tjera, por të shkojë drejt e në banesën e tij.

“Eqrem i dëshëruar!Malli yt më vret!Nisu pa vonim dhe eja.Eja se Lasgushi të pret me kraha hapur. Kur të harrish në Graz, qoftë ditën, qoftë natën mos bësh marrëzinë e të vesh në hotel. Ne s’ kemi mjete për hotelra!E di se pastaj bodrumet bëjnë kryengritje?!Të vish te unë, Klosterëiesgasse 74.(….)Në qofsh vetë trokit në dritare me shur ose me guriçka dhe më një sekundë do kesh përpara syve të tua- e di cili?Vetëveten t’ënde:Shokun Lasgush!”(111)

Me 3 etor 1927 Lasgushi do t’ i shkruajë Çabejt një letër tjetër përplot mallë dhe dashuri, duke e ritheksuar disa herë fjalën:VËLLA.Le ta citojmë një fragment nga kjo letër:

”Fort i shtrenjtë dhe i vetëm Eqrem”

Kur mora letrën t’ënde, letrën t’ ënde të parë këtu nga Shqipërija, gjiri m’ u hap e m’ u bë kopsht, m’ u çel e m’ u bë lule, shpirti m’ u ndes e m’ u bë dritë.Si mos më hapet, mos më çelet, mos më ndritet kur flet fjala jote tri herë divine? (109)

A nuk mund të thuhet se ata vërtetë ishin binjakë shpirtërorë, siç i quajti Moikom Zeqo?!Le të ripësërisim edhe njëherë fjalët e Lasgushit për të vërtetuar atë thënie të tij:”…më një sekundë do kesh përpara të syve tua-e di cilin?Vetëveten t’ënde:Shokun Lasgush!” Pra është e njejta:Lasgushi është si Çabej dhe Çabej është si Lasgushi apo brenda Lasgushit është Çabej dhe brenda Çabejt është Lasgushi.

Por Lasgushi ndonjëherë duket më i ndjeshëm,ka më shumë sentiment,madje atij i duket së është braktisur nga sivëllai i tij, Çabej, veçanërisht në raste kur ai vuante nga sëmundja. Sepse ai nuk mund të pajtohej kurrsesi që Çabej të mungonte në ato momente kur Lasgushi ishte i shtrirë në shtrat. Prandaj më 30 janar 1930 Lasgushi nga Grazi i drejtohej përplot mallëngjim Eqremit, shokut, mikut dhe sivëllait të tij:”Ah, i dashur Eqrem, gjithnjë kur jam i mallëngjyer- që as unë s’ e di se qysh, të sjell ndërmnd Ty.Dua ta zbras shpirtin dhe të flasim…të flasim…bashkë, po ja! S’ kam ç’të bëj:ti i shtrentë shok ik….gjith ik e largohesh prej meje….Largohesh që kur u sëmura…” për ta thyer pastaj përgjërimin në një relaks rreth aventurave të tyre të dashurisë dhe kështu ta relaksojë komunikimin epistolar, duke i rikujtuar ndonjë çast të bukur kur dashuronin çupën e bukur të Grazit:”Ku e le Melitën? Eqrem? A e mban mend Melitën? Ata si dy të rinj nuk do ta harrojnë atë dhe ajo do t’ u bëjë dritë edhe në poezinë e tyre edhe në shpirtin e tyre.

Po për çfarë bisedonin tjetër apo i shkruanin ata njëri-tjerit në letrat e tjera?

Ata do të shkruajnë se duhet të merren me edukimin kultural estetik të popullit shqiptar,për edukimin e shijes estetike të popullit shqiptar,do të flasin për De Radën, Naimin, Fishtën, Asdrenin, Budin, Bogdanin, por edhe për Elisabetën dhe Lulunë e të tjera.Doemos që ata do të flasin edhe për atë se përse kishin shkuar në Grac: për studimet, të cilat ata tashmë po i përfundonin, sepse kishin marrë edhe disertacionet e tyre të doktoranturës dhe kishin përmbyllur hulumtimet e tyre shkencore. Cilat ishin fushat e interesimeve studimore të këtyre dy emrave të mëdhenj? Lasgushi do të merrej me poetin e madh rumun Emineskun, kurse Çabej do të merrej me arbëreshët e Italisë nën drejtimin e gjuhëtarit të madh Norbert Joklit me studimin “Italo-albanische Studien”, për të cilin kishte punuar një vit e gjysmë dhe për të cilin edhe kishte qenë midis arbëreshëve për kërkimet shkencore, që lidheshin me projektin e tij hulumtues.Ata do t’ i mbarojnë ato studime, do të marrin gradat e tyre shkencore dhe do të kthehen në atdhe.Eqrem Çabej do të bëhet figura qendrore e albanologjisë në fushën e studimeve gjuhësore, kurse Lasgush Poradecit, nuk do t’ i shërbejë pothuajse për asgjë grada e tij shkencore, sepse askush nuk ia njohu dhe nuk ia përmendi në Shqipëri.Ai madje mbeti shkrimtari që kishte shkruar kryesisht ato poezi para LDB, me përjashtime të vogla, kur botoi edhe disa poezi në kohën e socializmit shqiptar, sepse ai e braktisi pothuajse përgjithmonë shkrimtarinë dhe vargun poetik si shenjë revolte ndaj atij regjimi komunist, që degradoi dhe rrënoi vlerat e mirëfillta të krijuesve më të mëdhenj.

Ist möglicherweise ein Bild von 5 Personen und Personen, die stehen

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT