Nënqeshje
Nisi bisedën, si për të vrarë heshtjen pritjes në stacionin e autobuzit, atij dimri i cili fërgëllonte thëllimin gjer në asht. Kokën e mbante mbështjellë me një shall të madh rozë që e ëma ia kishte qepur orëve të pagjuma të natës së fundit para se të nisej në një tokë të huaj drejt veriut. Vërtet kishte ndjerë aq ftohtë mbërritjes në atë qytet të bekuar e të bukur, ngulur mes malesh, kreshtat e të cilëve zbardhnin deri në fund të pranverës, ndërsa këmbëve të tij gjarpëronte një lumë herë herë i vrullshëm e herë i ngadaltë.
Anës tjetër shtrihej një liqen madhështor, i cili pasqyronte gjithë tapetin e yjtë dhe të një hëne që dukej se nga çasti në çast do të zhytej në të.
Sikur Zoti e kishte vizatuar e më pas aty gji malesh vënë me dorë.
Me vështrimin mjergulluar prej frymës së ngrohtë e të thyer grisë së murit ligavec me njolla myshku të një ndërtese të vjetër e braktisur fatit të vet, pa shumë fjalë pyeti shoqet, nëse dëshironin të fillonin edha ato kursin e patentës. Ishte e re në atë vend, e sapo ardhur, por mendonte se ishte shumë e nevojshme madje e domosdoshme në përditshmërinë e saj përdorimi i makinës.
Mendonte të pyeste dhe në dy tre autoshkolla të tjera për mënyrën e pagesës, por dhe të dinte se kush ishte më e lira.
Shoqet i shkelën syrin njëra – tjetrës dhe ia plasën gazit që u përzie me zhurmën e frenatës së autobuzit, që sakaq kishte mbërritur dhe ndërkohë ato kapërcenin shkallën për t’u ngjitur.
-Sapo ke ardhur, akoma s’ ke hapur sytë dhe tani do të bësh dhe patentë ti?! – tha njëra prej tyre.
Ndaloi në derë gjysëm e shtangur, zgjati dorën të vulosë biletën e më pas u ul aty në sedilen pranë që ishte bosh.
Dy miket kishin vajtur nga fundi, dëgjoheshin vetëm të qeshurat e tyre e në mbërritje kishin zbritur nga porta e pasme e s’i kishte parë më.
Në mbrëmje pyeti të shoqin:
-Përse s’e ke bërë patentën? Ke kohë që ke ardhur këtu?!
– S’ kam mundur ia priti ai menjëherë. Qeraja është e lartë, bëmë dasëm apo jo, gjeta shtëpi të të sillja ty.
Kaq ishin mundësitë!
Ajo uli vështrimin disi e turpëruar se mos e kishte tepruar me atë pyetje që tingëllonte më shumë si retorike dhe vijoi t’i tregoi s’e ç’kishte ngjarë në mëngjes në stacion.
Vajta të pyes- tha – bile luta edhe miket, por ato seç patën ca paragjykime, që s’i kuptova dhe as munda t’i pyesja më gjatë.
-Mos u mërzit. Çdo gjë do bëhet në kohën dhe mundësinë e duhur,
bile mund të fillojmë bashkë.
-Jo, gati brofi në këmbë ajo,
Ka plot autoshkolla, ti do të vesh në njërën e unë në tjetrën dhe në shtëpi do testojmë njëri – tjetrin.
-Mirë i tha ai, asnjë problem, doja vetëm të të ndihmoja, së bashku do mund të mësonim më mirë.
-E di, iu përgjigj ajo, por jo.
Ashtu u bë, të nesërmen secili filloi ditën e vet.
Ai ishte më i zoti dhe e mori patentën më përpara. Ajo e mori dy javë më pas.
Tre vjet më vonë kaloi t’ i përshëndeste ata të autoshkollës për Krishtlindje dhe ti bënte urimet për një vit të begatë siç bënte gjithnjë në shenjë mirënjohje, kur pa miket ulur në bankën e fundit.