SHPIRTI I GRUAS
Shumë vargje kam shkruar për gratë,
Për shpirtin e tyre, të bardhë si bora,
Për ato, që ngrihet, herët që me natë,
Për ato, që nuk i lodhet asnjëherë dora.
Për ato, që syri nga malli, loti u pikon,
Prandaj bukuria e tyre, më ka mahnitur,
Ashtu si pema, që kur çel dhe lulëzon,
Me frutat e saj, qëndron duke të pritur.
Eh, lozonjaret, por dhe të ëmbëlat gra,
Që të tërheqin me lajka, si sirena lumi,
Kur të shkelin syrin, bëjnë edhe shaka,
Por duan përkëdhelje, që t’i zerë gjumi.
Të freskëta, e të ëmbëla janë përherë,
Me ndonjë rrudhë, që shumë u ka hije,
Dhe të presin me buzëqeshje në derë,
Ashtu, si të ndrojtura, dhe pak nazelije.
Kur në ëndrra, më hynin ato si sirena,
Më vinte e më zgjonte nga gjumi muza,
Kam shkruar për ato, i ulur nëpër trena,
Nëpër aeroporte, por dhe në autobuza,
Kur ndonjë, pa dashur më sytë e saj,
Më ka goditur në shpirt, pa mëshirë,
Dy sy të pafajshëm, s’harrohen kollaj,
Më kanë mbajtur peng, deri në të gdhirë.
Ndoshta ndonjë, dhe mund të ketë qarë,
Nga trishtimi, se në vargje veten se gjeti,
Por shpirti i gruas, si një tingull në kitarë,
Që kur dridhet, e ndjen më shumë poeti.