O zjarr mos të pushoftë Zoti kurrë!
Lojcake e prapë deri në marri
q’e vdes urie, n’etje një të ngratë,
me lojëra e magji q’i luan vetëm ti,
më vdes dhe prapë vjen më ngjall,
gjersa si mashkull të më zhbësh e si njeri,
këtë tashmë kam kohë që e kam parë.
Po pse sërish të ndjek e të vij pas,
me verbëri siç bën dhe një manar
e fillin e drejtimin e humbas,
rrëshqas e s’di pse kot-më-kot zë marr,
i jepem një hareje, lëshohem e s’ka gjasë
t’i fshihem grishjes tënde që mbjell zjarr?
Po luaj, fundja luaj si ta ndjesh;
më djeg, por më pëlqeka dhe kështu:
të pres rrufe të mbjella në mes resh
gjëmime e flakë lëshuar mu këtu
në gjoks lëndime e plagë të marr shpesh,
këtu në shpirtin tim që endet kuturu.
Po luaj, fundja luaj bëj ç’të duash,
veç dije se kjo lojë ledhashumë,
një ditë do të të bëjë dhe ty të vuash,
do digjesh, përvëlohesh si dhe unë,
me përgjërim do lutesh e do thuash:
o zjarr mos të pushoftë Zoti kurrë!