Sunday, June 29, 2025
BallinaVitrina e libritXheladin A. Çitaku-ÇAPITEM

Xheladin A. Çitaku-ÇAPITEM

ÇAPITEM

Çapitem rrugëve të përbaltura me shpirtin të ngushtuar
stërkalat më pikëzojnë, fund e krye me pika të zhlyerjes
mllefi zbrazet me fjalë moçalishtesh të fjalorëve të truar
në tinguj megafonësh e me nota pentagramësh të fyerjes.

Çapitem shtigjeve të përthyera të jetës, në dukje kamufluar
të stolisur me gënjeshtër e me nuska mëkatesh të atavizmit
çengelash të bestytnive moderne, varur shpresën e mashtruar
mbërthyer në kafazin e ndryshkur të civilizimeve të cinizmit.

Çapitem në lëmin e shtëpisë, shtruar me ambicie ferrishtash
në përplitje djersitëse të ëndrrave, në netët mbetur pa gjumë
treten vegimet e vizionit, humben nëpër labirinthe urishtash
trallisen nga zhgënjimet, që vërshojnë në shpirtëra si lumë.

Çapitem nëpër sheshe të mermerta me pllaka shkëlqimesh
shikimin mbërthyer në dorështrirje lypsarësh të përdhosur
në krekosje shpurash, që ecin revan mbi urata mallkimesh
fytyra lakejsh suvatuar në ngjyra kameleonësh të damkosur.

Çapitem frazash të stampuara, shpaluar me pompozitet hipokrit
shkronjat e ngatërruara endin ndërdijen në avlëmend intrigash
pinjollë të skaduar që ngarendin ndër pista të vallëzimit perfid
marshojnë trillet mashtruese, rreshtuar nëpër kuadrate të ligash.

Çapitem nëpër portat e rrëgjuara të virtyteve të katranosura
në kënetat kutërbuese, në frymëzënie ngulfatëse duke gulçuar
nëpër rrjetëzat e injorancës përthuren dëlirësitë e nakatosura
shujta përçmimesh të kohëve, në sofrat e qytetërimit shtruar.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT