Kur shpërbëhet fjalori.
Hiq dorë nga zëri i grykëve të mërdhifta,
pëshpëritjesh që përvidhen si balta të lënuna,
lagështirash si kobësia e vdekjeve të idhëta,
në përimetra gjurmësh,kuturu të nëmura.
Si rrëfyese misteresh,mbytur në valëzim,
ky gërshet gërmash,ma shqepi kraharorin,
eshtrash të bardha do shkoj në fluturim,
shpirtin të përkëdhel,mos ia rëndoj lotin
.
Pak hapa më tej nën ca kafka të ngushta,
zgurdulluar sytë,mbyllin dyer e dritare,
kan’thonj çjerrës e dhëmbë të përdhunta,
me grep të kujtesës,i ngulis në ditare.
Cigaret djegur,trajtash të pluhurosura,
hiq dorë emrash,me spërkatje toksike,
ka njerëz përreth,gjuhësh të zhulosura,
ti mbështillju hënës,hijeshisë fisnike.
Harro kë ndeshe,andej nga kolove,
dikush siç niset,ndryshe mbërrin tek ti,
hiq dorë nga tingujt e fryrë që provove,
ka djaj që ethshëm formësohen n’pabesi.
Ca tjerë të sajuar,ngopen veç me mbetje,
e i përqasin dritat,siç ndryshon dhe moti,
ti më thua hiq dorë,si të ishte pasvdekje,
mua më qan fjala,po më shpërbëhet fjalori.