Marrëzia e erës
Një erë e marrë shkundi qytetin,
E tjegullat mbi çati,
U trembën udhët, u fikën dritat,
U struk malli në gji.
Një erë e dalldisur tundi pemët,
Të gjorat u drodhën nga frika,
Si pupël ra përtokë dhe një fole,
Sapo kish zbardhur dita.
Kur u largua , kudo ra heshtja ,
Që i ngjasonte një ceremonie mortore,
Ndërsa silueta e saj qeshte, e qeshte
Si të kishte korrur ndonjë fitore.