Na poqi fati dhe njëherë,
e t’adhurova sa s’e di,
tek vije, shkelje si përherë,
si bijë drerësh që shkel mbi erë,
ajër më ajër, o Perëndi.
Na poqi fati dhe njëherë
e flakëroi zemra ime
në gjoks u zgjua si at’herë,
u brof një zog, si nga një ferrë,
që pas i sulet një cicërime
.
Dhe verë, ç’verë, por ja m’u vesh
me dimër bota anë më anë
të rrekem jetë e tërë m’u desh
që veç e imja, moj të jesh
por prapëseprapë s’ia dola mbanë
.
Dorën ma dhe … Ah këtë dorë
gjithë jetën doja veç ta prek;
s’ka pasur ditë, s’ka pasur orë
të mos e lyp me shpirt të gjorë,
por s’mundja as me gisht ta cek.
Ç’më fton për kafe! Si ta pimë!?
Një jetë me ty, një jetë pa ty.
Kur pas të bija, veç një grimë
me dashuri, të dy e dimë,
ti s’ma dhe kurrë as me sy.
Të dy me vjeshtë të mbuluar
me shi Tirane plot trishtim,
na mbet ky dimër nëpër duar
kjo borë e moteve të shkuar
që s’paska shterje, as mbarim.
Na poqi fati këtë herë
por tash në vjeshtën më të vonë
në shpirtin tim të mbetur djerrë
nuk mbin më bar, as fryn më erë
dhe më, ta dish, në dimër, thonë,
nuk dashurohet si gjithmonë.