DESHTA TË QESHI PËR VDEKJEN TËNDE
Kur dëgjova për vdekjen tënde Rasim,
Deshta të qeshi me tërë fuqinë
Të dëgjohej e qeshura në kupë të qiellit
T’a nderoja gjeninë tënde prej humoristi.
Fundja, ushtarët me pushkë nderohen,
Këngëtarët kërkojnë këngë në kortezhin mortor,
Veprimtarët kërkojnë këngë me çifteli,
Ty t’shkon një e qeshur e madhe Rasim.
Do të mendonin se jam i çmendur!, mendova,
Do të thonin se luajti nga mendët.
Nuk do ta kuptonin se qeshja do të shprehte mërzinë,
Do ta nderonte shpirtin tënd prej artisti
.
Hoqa dorë nga e qeshura, përkohësisht
Megjithëse me të qeshura do t’ju kujtojmë gjithmonë,
Çdo kujtim i yti, me qeshje na vjen
Dhembja sa pak ato i shoqëron.
Në fakt, nuk do t’ju kujtojmë si Rasim
Cimë ishe, Cimë mbetesh për ne
Sa herë që na del përpara Cima
E qeshura, do t’na shtrijë përdhe.
Pusho i qetë në Parajsë Rasim
E qeshura s’do të mungojë në mesin tonë
E mbolle mes nesh, aty do të mbetet
Si ushqim shpirtëror, do na ushqej gjithmonë.
Nëse është e vërtetë që e qeshura zgjat jetën
Ne të kemi shumë borgj Rasim
Këtë borgj nuk kemi se si ta shlyejmë ndryshe
Pos duke të kujtuar ty e duke qeshur me humorin tënd
Lamtumirë mjeshtër i të qeshurës
E qeshura mos i mungoftë kurrë shpirtit tënd
Ashtu siç na zgjate jetën me të qeshura
Të qeshurën e paç gjithmonë në sfond.