Në Kuvend të Arbërit nisi tik-taku i parë.
Filluan punë akrepat e orës së Atdheut.
Drangoi i parë i Arbërit, djali i shqipeve ka ardh
t’i shporrë Osmanllinjtë e zinj.
Pikërisht këtu; me Gjergj Kastriotin
Fillon për Kombin e shqipeve fleta e parë në histori.
Për nder të Pirros së Epirit,
ka mbajtur dhe Përkrenaren si Ai.
Hingëllimën e gjogut të Skënderbeut,
vringëllimën e shpatës, gjithë bota i dëgjoi.
Përtej deteve e oqeaneve,
përtej dhimbjeve ai flakëroi.
Me valë gjaku i vaditi rrënjët e tokës së tij,
përtej bjeshkëve të Arbërit, natë e ditë s’pushoi.
Lartësive të horizontit,
ai atlet i krishtërimit…fluturoi.
Sot e kësaj dite, Përkrenaren e Shpatën,
toka jonë Arbërore i ka mburojë…
sepse flamurin me shqiponjën dykrenare,
tokës së Arbërit, vetëm Ai ia la dhuratë.
Rrënjët e tokës së tij, dhe folenë e shqipeve,
prijësi Skënderbe i mbrojti me gjak.