TJETËR SHQIPNI E KAM ËNDRRU
Pa më thuaj nanë Shqipni
çfarë po ndodhë kështu me ty?
Pesëdhjetë vite komunizmi
ta zuri frymën shpirtin ta nxiu.
Mbi tridhjetë tjera demokraci
sërish moj nanë me lot në sy!
Sa t’i vrau t’i pushkatoi
sa në kampe i internoi,
sa burgjeve ju humbi shëndeti
sa të tjerë i hëngri deti?
Sa pêrqind po i merrë droga?
Sa përqind prostitucioni?
Sa çdo ditë po hapen varre?
Sherre banale dhe hakmarrje!
Sa vasha tjera faqe kuqe
në Serbi të janë bë nuse,
sa të tjera nëpër Siri
sa me xhihad i ke aty.
Sa t’i bleu shkau e greki
sa i hëngër vetë dreqi,
sa moj nanë ty po t’veti
sa përqind t’ mbetën për veti?
Sikur të ngjallej Dervish Shaqa
e sërish t’i ndihej kanga,
s’do t’mjaftonte kanga e sharkisë
për me i vajtu plagët e Shqipnisë
bukë e lot i kish shku jeta
një tjetêr Shqipni kish thanë e deshta!
Tjetër Shqipni e kam ëndrru
krejt për ndryshe ka k’nue zemra,
për kështu qysh po e shohim
s’na e tha shpirti e as mendja.
Se na vjenë kështu koha
me të shit edhe me vota,
me të qit vetë në pazarë
ca hajdutë me ty me u tallë.
Zoti t’pastë në dorë moj nanë
me ty qoftë edhe Shën Gjergji,
se aty për së mbrapshti
e ka rrokë në krye dreqi!