Triptik i tre qyteteve
BURRELI I BUKUR
Copa peisazhezh të blerta, të kaltra,
Shihen përqark Burrelit të bukur,
Thua kujt do t’i shkonte në mendje
Te e zakonshmja bukuria është futur.
Burra të fisëm dhe gra të bukura
Në qytetin e mollëve paskan bujtur.
Kur të kem ikur nga Burreli i bukur
Bukuritë e qytetit do m’i sjellë një flutur.
KLOS
Këto rrugë të ngushta,
Më sjellin në qytetin e vogël
Me emrin e pakët Klos,
Në bar restorantin e madh
Me dysheme prej xhami
Ku poshtë kalon lumi i kaltër.
Por kjo s’do të mjaftonte
pa thënë, se vendet vogla
Mbajnë dhe emra poetësh.
PAMJE E PESHKOPISË
Mbrëmë fjeta në qytetin e dytë të mollëve,
Në qytetin e nuseve erëmollë.
Sot m’u duk se u zgjova në një qytet tjetër…
Por në të vërtetë,
Në qytetin e mollëve
Me shtatin e nuseve belhollë.